“Nuk po merren përgjegjësi në PD”, Alimehmeti: Po fshihet analiza, duhet ristrukturim total

Nga A2 CNN
18 Nëntor 2025, 20:55 | Politikë

Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, në emisionin Off The Record me Andrea Danglli në A2 CNN, ka shprehur hapur zhgënjimet, kritikat dhe propozimet për gjendjen aktuale të partisë më të madhe opozitare në vend.

Alimehmeti deklaroi se Partia Demokratike ka dështuar të mbajë premtimin për analizën zgjedhore, duke ngritur dyshime për transparencën e brendshme: “Analiza zgjedhore është premtuar prej kohësh. OSBE/ODIHR doli. S’ka asnjë arsye që kjo të mos bëhet. Nëse nuk bëhet, do të thotë se diçka po i fshihet demokratëve. Këtu ka një përgjegjësi që dikush nuk po merr”.

Ai paralajmëroi se mungesa e meritokracisë dhe përfaqësimit të drejtë rrezikon rëndë demokracinë e brendshme të PD-së.

Sipas Alimehmetit, zemërimi i madh publik ndaj qeverisë nuk po shndërrohet në mbështetje të opozitës për shkak të problemeve të brendshme: “Nëse meritokracia nuk kthehet dhe përfaqësimi nuk kthehet, kemi problem të madh në kapitalizimin e zemërimit masiv ndaj qeverisë.”

Ai theksoi se qytetarët e kuptojnë menjëherë kur mungon transparenca dhe drejtësia në vendimmarrje.

Alimehmeti bëri thirrje për ristrukturim të plotë të Partisë Demokratike: “Për të rrëzuar këtë regjim na duhet një riorganizim kokë e komb i PD-së. Në pak javë, pak muaj, kjo gjë duhet të ndodhë.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos