Paketa e Maleve, Rama kritika kryebashkiakëve: Si majtas, si djathtas, flenë gjumë! Task-Forcë për të ndihmuar qytetarët

Nga A2 CNN
23 Tetor 2025, 13:15 | Politikë

Paketa e Maleve, Rama kritika kryebashkiakëve: Si majtas, si djathtas,

Në takimin me të gjithë kryebashkiakët e Shqipërisë për të diskutuar mbi vijim e Paketës së Maleve, kryeministri Edi Rama ka urdhëruar gjithashtu dhe ngritjen e një Task-Force në çdo bashki me 3 persona për t’i ardhur në ndihmë shqiptarëve që kanë shprehur interesin për të investuar në Shqipëri nëpërmjet paketës së maleve.

“Bëni menjëherë përcaktimin e zonave duke përfshirë sa më shumë territore, përveç atyre pikave për arsye ligjore është e pamundur të ndërtohet. Më dëgjon ti kryebashkiaku i Kukësit? Ti më dëgjon po nuk e di a më kupton. Niveli i interesit për të investuar në ato territore është i lartë. Sa herë kam ardhur atje, ma ke ngrit këtë problem, kemi kërkesa po nuk kanë letra. Ke 5 muaj që i ke në dispozicion të gjithë instrumentet dhe akoma nuk ke sjellë hartën. Duhet të ngrini një task forcë në çdo bashki me 3 persona që t’i rrinë pronto njerëzve që shprehin interesin. 500 të parët që do të marrin kontratën 10 vite nuk do të paguajnë asnjë lloj takse. Duhet t’i ndihmoni të jenë të 500 të parët".

Rama kritikoi kryebashkiakët, të cilët nuk kanë përmbushur kërkesat e tyre dhe theksoi se do të analizohet secila bashki për kontributin në ngritjen e nivelit ekonomik në vend.

“Ministrja po përgatit ato kriteret që do të vlejnë për ministritë e bashkisë. Kriteri i parë është që të kontribuosh në rritjen ekonomike të vendit nuk mund të jenë të gjithë konsumatorë të rritjes, duhet të jenë dhe kontributorë. Nuk është mblidh të ardhura nga qytetarët dhe pastaj shpërndaji dhe pastaj kërko më shumë të ardhura. Bashkitë duhet të jenë pararojë për të krijuar të ardhura”.

Kryeministri shkëmbeu batuta edhe me kryebashkiakët demokratë, të cilët gjithashtu nuk kanë dorëzuar hartat.

“Edhe Memaliaj e Fushë Arrëzi që janë hudhrat që na mbrojnë nga syri i keq me lëkurën e tyre blu, nuk na kanë sjellë gjë, kështu që iu kanë shpëtuar nga vënia në pozitë të vështirë. Kjo tregon që si majtas si djathtas, shqiptarët flenë gjumë. Brenda muajit tetor, duhet të vijnë të gjitha hartat”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos