Parlamenti me 101 deputetë? Krasniqi: Bëhet vetëm me pakt Rama-Berisha

Nga A2 CNN
15 Shtator 2025, 21:14 | Politikë

Analisti Afrim Krasniqi ka komentuar në “Off the Record” nga Andra Danglli në A2 CNN, idenë e hedhur nga kryeministri Edi Rama për shkurtimin e numrit të deputetëve në legjislaturat e ardhshme në Kuvendin e Shqipërisë.

Teksa tha se e mirëpret këtë nismë, Krasniqi nxori në pah vështirësitë për realizimin e saj. Sipas tij kryesorja është qasja e Ramës ndaj opozitës, pasi do të duhet një pakt me Sali Berishën për ndryshime kushtetuese, në mënyrë që kjo të ndodhë.

“Te kryeministri më pëlqeu ideja e shkurtimit të numrit të deputetëve. Për të realizuar ndryshimin kushtetues për ndryshimin e numrit të deputetëve duhet të ndryshohet Kushtetuta. PS ka 83 plus 3 të PSD, 86 mandate. Edhe sikur të sigurojë 2-3 mandate informale, nuk i shkon dot te numri 94 që kërkohet. Është e detyruar të bëjë kompromis me PD. Dhe për të bërë kompromis siç kemi bërë edhe në 2008, do të ketë edhe kërkesa nga pala tjetër. Dhe unë kam frikë ditën kur palët do mblidhen sepse secila palë do kërkojë diçka dhe mund të ndodhë që rezultati i ndryshimeve kushtetuese mund të mos na japë një demokraci më të mirë se kjo që kemi sot. Në momentin që thua se jam për ta ulur numrin e deputetëve duhet të japësh edhe ofertën pasi nuk i ke votat për këtë gjë”, tha Afrim Krasniqi në “Off the Record” nga Andra Danglli në A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos