“Partnerët të monitorojnë hetimin”, Berisha: Rama dorëzoi Agasin, arrestimi u negociua nga Balla

Nga Anesti Barjamemaj
27 Gusht 2026, 15:43 | Politikë

Me entuziazëm të përmbajtur e priti Sali Berisha arrestimin e Ergys Agasit. Kryetari i opozitës mendon se policia nuk do ta ndërmerrte operacionin nëse kryeministri Edi Rama nuk do të jepte bekimin.

“Nallanet, pantallonat e shkurtra, polici në timon, të gjitha këto flasin për një arrestim të negociuar. Agasi është pronari makinave të blinduara, i makinave më luksoze. Shkoi dhe u gjet në një makinë krejtësisht koti, me shofer policin. Janë disa elementë pra, që po t’i lidhësh bashkë, flasin për një arrestim të negociuar”, tha Berisha, shkruan A2. 

Po kush, sipas Berishës, ka negociuar një arrestim të kontrolluar? Tek ky rol ai sheh Taulant Ballën, kryetarin e grupit parlamentar të PS, edhe pse gjithmonë ka deklauar se Ergys Agasi është ai që e ka “shkarkuar” nga posti i Ministrit të Brendshëm: “Nuk mund të them me siguri, por qytetarët dixhitalë më kanë informuar se sipas burimeve të tyre policore, ditën e diel nënjë lokal të kontrolluar nga karteli në Elbasan, Taulant Balla ka zhvilluar një takim jo të shkurtër me Gys Agasin. Taulanti ka thënë, jo vetëm Taulanti, janë 3 ministra që kanë thënë se ne na shkarkuar Ergys Agasi. Thuhet se, do shpërblehet me postin e kryetarit të Parlamentit”.

Berisha shprehet i sigurt që Rama është i përfshirë në këtë histori, madje, sipas tij, edhe në videot e regjistruara: “E sfidoj Ramën të thotë që nuk është në video. Dhe e mbyll këtë me thirrjen për dorëheqje urgjente të Edi Ramës, pasi nuk është gjë tjetër, veçse një Agas në karrigen e kryeministrit”.

Kryetari i PD nuk mjaftohet vetëm me largimin e kryeministrit por i kërkon edhe agjencive ndërkombëtare që ta hetojnë këtë çështje me argumentin se është cenuar edhe siguria e NATO-s: “Agasi ka qenë një rrezik për NATO-n. Agasi të gjitha të dhënat e sistemit TIMS ua ka dhënë armiqve të NATO-s dhe kartelit të Troplinëve. Thirrja ime për organizatat ndërkombëtare, Europolin, Eurojustin, por edhe agjencitë e zbatimit të ligjit të vendeve partnere, të angazhohen në monitorimin dhe ridimensionimin e hetimit për Ergys Agasin që është vetë Edi Rama, që ka vepruar në emër të Edi Ramës, që kanë kontroll të plotë Edi Ramën”.  

Këtë apel Berisha e bën për shkak të mungesës së besimit tek drejtësia në Shqipëri, pasi ai pretendon se për shkak se është një arrestim i kontrolluar, fati gjyqësor i Agasit do të jetë i njëjtë me të Ilir Beqajt, që së fundmi për dy dosjet në ngarkim të tij po gjykohet nga shtëpia dhe jo nga qelia.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos