Erion Veliaj nuk humbi kohë për të ankimuar vendimin e Këshillit të Ministrave. Vulosja e shkarkimit nga Edi Rama u konsiderua prej tij si antikushtetuese duke e paditur ish-shefin e tij politik në Gjykatë.
“Çdo përpjekje për të lexuar nenin 62 të ligjit “Për vetëqeverisjen vendore” si krijim i një kategorie të re shkarkimi jashtë kuadrit kushtetues, do të ishte në vetvete një interpretim që nuk mund të bëhet, sepse është një interpretim antikushtetues.”
Argumenti që përdori Këshilli Bashkiak për shkarkimin e tij ishte mungesa për një periudhë më shumë se sa 3 muaj që për Veliajn, nuk qëndron.
Në padinë e depozituar ai e justifikon mungesën me masën e sigurisë, duke nënvizuar se ushtrimin e tyre ai vijon ta bëj nëpërmjet delegimit të kompetencës.
"Në rastin e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, mungesa ishte rezultat i një mase sigurie, pra një pamundësi objektive, dhe për më tepër, vijimësia e funksionit u sigurua përmes emërimit prej Kryetarit të Bashkisë të nënkryetares së bashkisë që do të ushtronte kompetencat e kryetarit. Pra, në themel nuk kishte asnjë “shkelje të rëndë”."
Njoftimi për padinë në Kushtetuese u shpërnda në media, ku një paragraf për Veliajn duhet të ishte i dukshëm, ai në të cilin thotë se Rama ka shkelur kushtetutën.
Është një përpjekje për të justifikuar një kompetencë që nuk ekziston. Kjo është një shkelje e drejtpërdrejtë e hierarkisë së burimeve të së drejtës dhe një dëshmi e qartë se vendimi është nxjerrë në tejkalim të kompetencës së dhënë nga Kushtetuta.
Pas këtij ankimi, tani më është Gjykata Kushtetuese e cila duhet të vendosë për fatin e mandatit të Erion Veliajt, nëse do ta cilësoi si të ligjshëm procedurën e shkarkimit, apo ai do të vijojë të jetë në detyrë edhe pse në qeli të paraburgimit. (A2 Televizion)