Sërish debate në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ku kreu i grupit të PD, Bardhi ka kërkuar thirrjen e Këshillit të Legjislacionit për kërkesën e opozitës për shkarkimin e drejtuesit të Kuvendit, Niko Peleshi.
Sipas Bardhit, thirrja e Këshillit është detyrim që duhet respektuar, teksa përsëriti kërkesën për ripërsëritjen e Këshillit të Legjislacionit.
Po ashtu, Bardhi u shpreh se në mbledhjen e Këshillit duhej përfshirë dhe kërkesa e PD për mocion me debat mbi programin qeverisës.
“Kalimi pa debat, kemi arsyetuar se është në shkelje të Kushtetutës dhe rregullores. Ju duhet ta përfshini atë kërkesë. Kemi dorëzuar një kërkesë për Mocion me Debat mbi programin e qeverisë për 4 vitet e ardhshme. Në bazë të rregullores do duhej që ky mocion me debat të ishte përfshirë në këtë mbledhje të Konferencës së Kryetarëve. Sot skadon dita e 3-te e afatit siç e parashikon rregullorja. Dhe deri tani ne nuk kemi njoftim për mbledhje tjetër”, tha Bardhi. (A2 Televizion)