Tedi Blushi, deputet i Partisë së Lirisë, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, deklaroi se “punonjësit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) i pastronin sediljen e makinës Erion Veliajt”.
“Të gjithë gjyqtarët sot janë nën shantazh nga SPAK-u. Çdo nëpunës, edhe më ordineri i BKH-së, dhe kur them ordiner nuk është fyerje, se i referohem atij rastit publik se si i pastronin sediljen e makinës Erion Veliajt ata punonjësit e BKH-së, ka të drejtë të përgjojë gjyqtarët”, tha Blushi.
“Në këtë sistem drejtësie të kapur, a mund të ketë drejtësi të pavarur? Drejtësia dhe lufta kundër korrupsionit nis me parandalimin. Më thoni një akt të SPAK-ut që ka parandaluar një akt korruptiv. Sot vijon ende afera e incineratorëve”, shtoi Blushi.
Deputeti i PL-së shtoi se “Tigrat e Durrësit sot gllabërojnë 95 mijë dollarë në ditë dhe nuk prodhohet asnjë kilovat energji elektrike”.
“Nëse do themi pastaj se ka drejtësi dhe ka SPAK kur këtu në një ditë avullojnë 180 mijë euro...”, theksoi më tej Tedi Blushi. (A2 Televizion)