Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha ka njoftuar se janë 2962 shtetas shqiptarë me qëndrim të përhershëm në Lindjen e Mesme, që nga nisja e përshkallëzimit të konfliktit dhe 543 të tjerë ndodhen atje si udhëtarë. Gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Jashtëm për situatën në Lindjen e Mesme, ministri Hoxha tha se ministria ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësitë diplomatike shqiptare në vendet e prekura nga konflikti.
“Në fillim të konfliktit në Lindjen e Mesme kemi 2962 shtetas shqiptarë në rajon, me qëndrim të përhershëm. Ndërsa 543 shtetas udhëtarë. Kemi komunikuar me 2511 shtetas, një për një. 138 shtetas shqiptarë kanë kërkuar vetë të largohen”, raportoi ministri në Komision.
Sipas tij situata më e vështirë ka qenë në Iran. Për këtë rast, tha ai Shqipëria është në koordinim me organizata ndërkombëtare si Kryqi i Kuq dhe Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) për të ndihmuar qytetarët shqiptarë.
“Duke pasur parasysh që Shqipëria nuk ka marrëdhënie dhe asnjë prani në Iran, në bashkëpunim me Kryqin e Kuq në Shqipëri dhe ekuivalentin e tij në Teheran, Gjysmë Hënën e Kuqe (Iranian Red Crescent Society) është vlerësuar mundësia që, në rast kërkese nga qytetarët tanë, të ofrohet ndihmë për largimin apo evakuimin e tyre nga territori iranian. Po ashtu, IOM ka një zyrë në Teheran me të cilën është në kontakt dhe pritet një përgjigje prej tyre lidhur me mundësitë e asistencës për shtetasit shqiptarë”.
Sipas ministrit, ndryshe nga disa vende të tjera, Shqipëria nuk ka mbyllur asnjë nga përfaqësitë e saj diplomatike në vendet e konfliktit, me qëllim që diplomatët shqiptarë të vijojnë të jenë pranë qytetarëve dhe t’u ofrojnë ndihmë në çdo moment.
Ministri theksoi se që në fillim të krizës, më 28 shkurt, Ministria e Jashtme ngriti një shtab të posaçëm krize që ka funksionuar 24 orë në ditë në koordinim me ambasadat shqiptare në rajon. Ky shtab ka monitoruar zhvillimet e situatës së sigurisë, si dhe ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me qytetarët shqiptarë në zonat e prekura.
Ministri Hoxha në Komisionin Parlamentar për Evropën dhe Punët e Jashtme:
Një përmbledhje statistikore mbi numrin e shtetasve tanë në rajon :
Rezidentë: 2.962 shtetas shqiptarë në rajon në fillim të konfliktit:
Me qëndrim të përkohshëm: 543 shtetas; këta janë udhëtarë.
Të kontaktuar nga ambasadat individualisht, një për një, emër për emër: 2511 shtetas (85%).
Të interesuar për t'u larguar nga zona e konfliktit: 138 shtetas.
Të asistuar/udhëzuar për t’u larguar në forma të ndryshme: 703 shtetas.
Të larguar individualisht: përafërsisht 24 shtetas.
Të planifikuar për t'u larguar individualisht sipas kanaleve/mënyrave të sigurta të transportit: 45 shtetas.
Qytetarët që janë evakuuar me asistencën e shteteve të treta: 17 shtetas. Është praktikë që kur një shtet që ka mundësi më shumë, organizon lëvizjen e shtetasve të vetë dhe kur ka vende të lira ndihmon edhe shtetas të vendeve të tjera. Janë bërë në këtë formë.
(A2 Televizion)