Komisioni Qendror i zgjedhjeve ka raportuar shifrat e pjesëmarrjes në zgjedhjet për kryetarin e ri të Bashkisë së Himarës.
Deri në orën 18:00 në bashkinë bregdetare kanë votuar 35,98% e votuesve, pak më shumë se i njëjti orar krahasuar me zgjedhjet e majit 2023.
Në këto zgjedhje, Petro Gjikuria dhe Vangjel Tavo garojnë për të marrë vendin e qytetarit të parë të Himarës.
Procesi është vlerësuar normal nga KQZ, por kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule, denoncoi disa parregullsi, si moslejimi i votuesve me dokumente identifikimi të skaduara, por edhe transferimin e zgjedhësve në këtë bashki pas dekretit të presidentit për datën e zgjedhjeve.
Dule po ashtu konsideron dekretin si antikueshtetues, pasi është nxjerrë pa u shqyrtuar ankimimi i Fredi Belerit në KAS për shpalljen të pavlefshëm të mandatit të tij.
Sakaq, nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm të OMONIA-s, Marin Suli ka pasur akuza të forta në drejtim të rivalëve socialistë.
Ai u shpreh në një deklaratë për mediat se janë kërcënuar me jetë komisionerë të opozitës, ndërsa në çdo qendër votimit ka mbi 10 përfaqësues të administratës shtetërore që u bëjnë presion votuesve për të zgjedhur Vangjel Tavon si kryebashkiak. (A2 Televizion)