“Këtu në Berat do konfirmojmë 5 mandatet”. Në zgjedhjet e 11 majit, në Qarkun e Beratit, Partia Socialiste do të jetë në pozicionin mbrojtës për të ruajtur 5 mandatet e fituara në 2021.
Në mbyllje të fushatës, Edi Rama kërkoi mobilizimin e socialistëve dhe demokratëve që ditën e zgjedhjeve të votojnë partinë që ai drejton: “PS-ja nuk është ëngjëll, por më të mirë nuk ka. PS-ja nuk është e keqja më e vogël, por e mira më e madhe”.
Kryeministri u ofroi qytetarëve të Beratit “pasaportën europiane” dhe mbylljen e negociatave deri në 2027. PS dhe ai vetë, sipas Edi Ramës, janë garancia e pavarësisë së drejtësisë, ndërsa bashkëpunëtorët e tij të cilët po japin llogari para ligjit, i cilësoi pjesë e së shkuarës.
Ai sulmoi dhe kundërshtarët politikë, duke e cilësuar votën për Sali Berishën dhe partitë e reja, si kthim pas në kohë të zhvillimit të vendit.
Në Berat nuk e kurseu as ish-bashkëpunëtorin e tij politik, Ilir Metën: “Sa andej, sa këtej. E kishte oreksin më të madh sesa e kishte stomakun, derisa i plasi stomaku”.
Ndërsa më herët në Kuçovë, kryeministri ironizoi deklaratat e drejtuesit politik të PD-së në Elbasan, Tomorr Alizoti: “Bërtiste se do të na hante të gjallë. Ua, çyryk. Si mund ta quash normal?”.
Edhe pse sondazhet i sheh si triumf për partinë e tij, kryesocialisti udhëzoi mbështetësit që më 11 maj të shkojnë në kutitë e votimit, pasi, sipas tij, fitorja vuloset nga vota në kutinë e votimit. (A2 Televizion)