Gjin Gjoni, deputet i Partisë Demokratike, në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, kritikoi kolegët e tij sepse, sipas tij, me marrjen e mandatit të deputetit shkëputen nga baza dhe përqendrohen vetëm në Kuvend.
“Mënyra se si u zhvilluan zgjedhjet, sidomos në rastin e diasporës, ka dhënë një efekt negativ që ne duhet ta riparojmë shumë shpejt dhe kontaktet me njerëzit për mua janë shumë të rëndësishme dhe sot në grupin parlamentar të Partisë Demokratike një nga elementet është shkëputja e Partisë Demokratike nga baza dhe struktura. Sepse me marrjen e mandatit të deputetit, ne shohim që ata përqendrohen te Parlamenti. Duhet të ketë një ndërthurje midis elementeve në bazë, Parlamentit dhe mënyrës se si ndërtohen politikat. Deputetët në vetvete duhet të japin shembullin e parë që të sakrifikojnë, nuk mundet deputetët që të presin dhe të rrinë në Parlament, por duhet të marrin iniciativa në rast se Partia Demokratike kërkon të rrisë adrenalinën e qytetarëve të cilët janë në bazë”, tha Gjoni.
“Që nga 11 maji, kur kanë mbaruar zgjedhjet dhe deri sot, ke një shumicë të madhe të deputetëve të cilët nuk kanë qenë akoma në bazë dhe kjo nuk është normale, pavarësisht nëse ka qenë i listës së hapur apo listës së mbyllur. Në fund të fundit konsiderohen deputetë të Partisë Demokratike”, shtoi deputeti demokrat.
(A2 Televizion)
