Presidenti Begaj takon arbëreshët, përuron statujën e Skënderbeut

Nga A2 CNN
19 Tetor 2025, 09:35 | Politikë

Presidenti Begaj takon arbëreshët, përuron statujën e

Presidenti Bajram Begaj, zhvilloi një vizitë  në komunat arbëreshe të Rajonit Molise në Itali, ku u prit nga përfaqësuesit më të lartë të institucioneve vendore të këtij rajoni.

“Kënaqësi të takohem me autoritetet e larta të Rajonit të Molises”, - deklaroi Presidenti Begaj,  duke ndarë vlerësimin se çdo takim me autoritetet italiane mbart këtë frymë miqësie që karakterizon marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë dhe bashkëpunimin e shkëlqyer dypalësh në të gjitha fushat.

Kreu i Shtetit theksoi se “Shqipëria–Italia–Arbëria” është një projekt që e përforcon partneritetin strategjik mes dy vendeve tona dhe nxit bashkëpunime të reja në fusha me interes të ndërsjellë.

Në komunën arbëreshe Ururi, Presidenti Begaj mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të statujës së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, një simbol i përjetshëm i unitetit dhe krenarisë sonë kombëtare.

“Skënderbeu nuk ishte vetëm luftëtar, por edhe vizionar e bashkues, pararendës i Shqipërisë evropiane, që ka mbetur përherë e lidhur me qytetërimin perëndimor. Sot, ai flet me ne përmes frymës së bashkimit dhe vetëdijes kombëtare që na la trashëgimi”, deklaroi Presidenti Begaj.

Në komunën arbëreshe Portocanone, Presidenti Begaj vizitoi sheshin “Skanderbeg” ku jetojnë arbëreshë dhe shqiptarë të emigruar pas viteve ’90. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos