Në prezantimin e Albana Koçiut si ministrja e parë grua në krye të Ministrisë së Brendshme, Kryeministri Edi Rama paralajmëroi shkrirjen e prefekturave. Shefi i qeverisë deklaroi se ministrja e Brendshme së bashku me ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor do të hartojnë një reformë ku duhet të nxjerrin përfundimin nëse prefekturat janë të nevojshme ose jo.
Më tej Rama tha se Ministria e Brendshme duhet të fokusohet në të gjitha punët e brendshme të vendit dhe jo vetëm te Policia e Shtetit.
Kryeministri Edi Rama dha edhe lajmin se nëpër shkolla, ku fatkeqësisht kanë ndodhur edhe ngjarje të rëndë kriminale mes nxënësve, do të ketë një sistem video-regjistrimi brenda tyre.
Ministrja Koçiu në fjalimin e parë si ministrie e Punëve të Brendshme tha se ka marrë një detyrë të rëndësishme, në të cilën duhet të flasë pak dhe të punojë shumë.
Ministrja Albana Koçiu zëvendëson në krye të ministrisë se Brendshme Ervin Hoxhën, i cili drejtoi këtë dikaster për 13 muaj. (A2 Televizion)