Kryeministri Edi Rama prezantoi paraditen e së shtunës ministren e re të Shëndetësisë, Evis Sala.
Në ambientet e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, kryeministri tha se zonja Sala “ka spikatur si akademike, mjeke dhe drejtuese në disa prej universiteteve dhe qendrave më të njohura spitalore të botës”, shkruan A2.
“Ka publikuar mbi 300 artikuj shkencorë, mbajtur mbi 500 ligjërata, ndërkohë që bën pjesë në bordet e disa shoqatave të mirënjohura evropiane. Po ashtu, ministrja jonë e re e Shëndetësisë është personalitet i vlerësuar me çmime prestigjioze ndërkombëtare. Ajo sjell edhe shembullin rrezatues të shqiptarëve të suksesshëm të botës”, u shpreh kreu i qeverisë gjatë prezantimit.
Më tej, Rama theksoi se pasi “në mandatin e parë mbyllëm gropa të thella, në dy mandatet e tjera bëmë investime të qenësishme” në shëndetësi.
“Në mandatin e tretë rritëm pagat e mjekëve dhe infermierëve. Në mandatin e katërt duam të shkojmë më tej dhe të hyjmë më thellë në përmbajtjen e transformimit sa i përket asaj që shëndetësia duhet t’u ofrojë qytetarëve, përtej infrastrukturës së transformuar dhe asaj që i detyrohemi mjekëve dhe infermierëve”, theksoi Edi Rama.
(A2 Televizion)