Migen Qiraxhi, nga Qëndresa Qytetare, deklaroi se pasi dolëm në vendet e fundit në testin Pisa të vitit 2022, qeveria mendoi t’i bënte marifete testit dhe jo të mësonte nxënësin.
“Ne, në testin Pisa në vitin 2022, kemi dalë në vendet e fundit. Këtu në studio kemi diskutuar dhe anëtarët e qeverisë thonin që “në testin e radhës do investohemi që fëmijët të dinë si plotësohet testi”. Asnjëri nuk mendonte që duhet të mësojmë nxënësin, por si t'i bëjmë marifete testit. Dhe çfarë kanë bërë këtë vit? U investuan katër vite që të mësojnë të rinjtë dhe mësuesit si të plotësohet mirë testi, të mësohen vetëm e Pisës. Ndërkohë, kanë hequr shkolla të cilat ishin më të dobëtat. Pra, kemi hyrë në mënyrë shtetërore si kopjacë. Dhe testi Pisa e ka ngritur alarmin. E ka marrë në studim Shqipërinë dhe i ka thënë botës: "Mos e krahasoni Shqipërinë as me veten e vet sepse të dhënat nuk janë të sakta. Këta na kanë gënjyer ne. Nuk kanë plotësuar pragun e metodologjisë dhe janë përjashtuar një grup shkollash të vogla në zonat rurale. Ne, edhe kopjacë, edhe të fundit. Ndërsa Kryeministri mendon se kjo është një nga dëftesat më të mira të sistemit tonë arsimor”, tha Qiraxhi në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
Sipas tij, “ata të cilët administrojnë sistemin tonë arsimor, nuk e përdorin atë për fëmijët e tyre”.
“Deputetë, ministra e kryeministër nuk i çojnë fëmijët në shkollat që administrojnë vetë. Është njësoj sikur pronari i restorantit të mos hajë në restorantin ku të jep bukë ty. Këta po na shërbejnë një produkt që nuk e përdorin vetë dhe arsyeja është se e kuptojnë që ky sistem ofron cilësinë më të ulët të arsimit në rajon dhe botë. Renditemi me Autoritetin Palestinez dhe Ukrainën që është në luftë”, shtoi Qiraxhi.
(A2 Televizion)