Ministri për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, dhe gazetari Lutfi Dervishi u përfshinë në një debat mbi rritjen e kostos së jetesës në vend.
Sipas Maznikut, bëhet fjalë për një “problem sistematik në të gjithë Evropën”, ndërsa Dervishi theksoi se ndërkohë që qeveritë evropiane marrin masa për këtë, qeveria shqiptare “nuk vepron”.
Debati Mazniku-Dervishi në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN:
Dervishi: Pse është bërë jeta më e shtrenjtë në Shqipëri?
Mazniku: Sepse është rritur ekonomia e Shqipërisë. Sepse nëqoftëse paga minimale ishte 300 dhe sot është 500, do të thotë që njerëzit kanë më shumë para në dispozicion.
Dervishi: Pse njerëzit nuk ia dalin dot?
Mazniku: U bë një diskutim këtu që u tha nga zoti Krasniqi që Greqia po diskuton një plan për uljen e kostos së jetesës.
Dervishi: Jo, nuk po diskuton. E ka zbatuar që dje.
Mazniku: Dje e paska zbatuar. Kryeministri anglez e ka bërë pjesë të axhendës së tij në Angli diskutimin e uljes së kostos së jetesës. Po Anglia me Greqinë pse e paskan problemin e rritjes së kostos së jetesës?
Dervishi: Ato e kanë dhe marrin masa, ndërsa ju as i lexoni si lajme.
Mazniku: Të flasim për masat. Pjesa e parë është: pse e paskan dhe këto problemin?
Dervishi: Se ka ndodhur një gjë, që pas Covid-it.
Mazniku: Atëherë, paska arsye sistematike pse qenkan rritur çmimet. Problemi i rritjes së kostos së jetesës qenka një problem i cili është problem sistematik në të gjithë Evropën. E paska Greqia, e paska Italia, e paska Anglia dhe politikat respektive janë duke u marrë me këtë punë. Po merret edhe qeveria shqiptare. Jemi i vetmi vend i cili kur kriza e energjisë në të gjithë Evropën i dyfishoi çmimet e energjisë, i uli çmimet e energjisë. E kuptoj që juve nuk ju duket shumë, por për familjet shqiptare, ulja me 10% e çmimit nuk ishte gjë e vogël. Edhe me karburantin u vendos mekanizmi i kontrollit të çmimeve. Jemi duke punuar për çështjen e shtrenjtimit të kostos së jetesës. Turizmi ka 10-20 të mira, më shumë vende pune, përmirësim të vlerës së pronës, por ka pasojë edhe rritjen e kërkesës agregate në vend, që do rrisë edhe çmimet. Ka shumë të mira, por ka elementin e rritjes së kostos së jetesës. Ky nuk është problem shqiptar.
Dervishi: Problemi shqiptar është që nuk veproni. Greqia që dje ka nisur pakt me furnitorët për të ulur çmimet e artikujve në supermarkete. Unë e kuptoj zgjidhjen: pazar në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Malin e Zi, Greqi… Mund të thuash “JO”, por do bëhesh meme po the kështu. Kjo gjë ndodh, edhe për naftë furnizohen atje.
Mazniku: Pa dyshim.
Dervishi: Po pse? Ç’më duhet një qeveri kur nafta është më e shtrenjta në kontinent?
Mazniku: Është më e shtrenjta sepse të gjitha vendet e tjera kanë dy taksa: të naftës dhe të makinës. Volumi që mblidhej nga taksa e qarkullimit kaloi te nafta. Këtë skemë e kanë disa vende të botës. (A2 Televizion)