"Rama na provokoi keq me robotin Diella", Klevis Balliu rrëfen prapaskenat e sherrit në Parlament

Nga A2 CNN
18 Shtator 2025, 20:31 | Politikë

Deputeti i Partisë Demokratike Klevis Balliu ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se provokoi opozitën duke futur Diellën në Parlament. Në studion e “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN, Balliu tha se kjo u bë në shkelje të kushtetutës me qëllim për të shmangur debatin me opozitën.

“Gjithçka bën qeveria ka për qëllim t’i shmanget debatit me opozitën, se me debat nuk ka çfarë ti thotë. Prej vitesh nuk shihet asnjë debat televiziv mes opozitës e qeverisë. Sot në një akt të paprecedentë Rama fut në shkelje të Kushtetutës, ligjit e rregullores një provokim duke futur një robot me një fjalim të parapërgatitur duke shkelur rregulloren e parlamentit”.

Kjo sipas tij është tallje për qytetarët dhe solli reagimin e opozitës, në një kohë kur vende më të zhvilluara se ne nuk e kanë një ministre robotë. Balliu thekson se kjo ka për qëllim të shmangë debatin publik.

“Në këtë moment gjëja më e lehtë për opozitën është të mbyllë gojën dhe të lërë Ramën të bëjë ç’të dojë me parlamentin. Kushtetuta nëse shkelet me një robot atëherë ç’ kuptim ka parlamenti dhe mandatet tona. Të tallet në këtë formë me qytetarët për të shmangur se aty nuk ka program për shqiptarët. Aty ka program sesi bandat të pastrojnë paratë në afera korruptive. Rama tallet dhe thotë dëgjoni robotin që do mbajë përgjegjëis për ato vjedhjet si do ta arrestojmë ne.  Ne jemi vend që s’kemi ujë e drita, apo ilaçe pa siguri. Gjithë bota është shumë para nesh me inteligjencën artificiale dhe nuk ka ndonjë ministër vetëm në Shqipëri ndodhin këta çmenduri se drejtohemi nga një i çmendur që kërkon të shmangë debatin publik”.

Balliu shtoi se Rama shkeli parlamentarizmin për të cilin kanë luftuar brezat e mëparshëm, ndërsa provokimi me Diellën nuk e lejoi të fliste për problemet reale të qytetarëve.

“Shkelja me të dyja këmbët e parlamentarizmit, të mos kesh parlamentarizëm në një vend që para 50 vjetësh pushkatoheshe. Brezat para nesh kanë luftuar që këtu të ketë parlament. Ky kërkon të na zhdukë nga parlamenti duke na vënë robotë. Doja të flisja sesi Astiri është pa shkollë, Kashari duhet të jetë bashki. Doja të flisja për krimin, për dhunën e Xhabaftajve, Suel Çelën, për shkollat që më shumë kanë thika se libra dhe ky mashtrues që kërkon në shkolla të futen gjini të tjera. Në këtë situatë e kemi më të nevojshme se kurrë të mbrojmë vlerat për parlamentarizmin”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos