Rama në Bavari, pritet nga “miku i çmuar” Markus Söder

Nga A2 CNN
14 Korrik 2025, 16:18 | Politikë

Rama në Bavari, pritet nga “miku i çmuar” Markus

Kryeministri Rama ka udhëtuar drejt Gjermanisë pasditen e të hënës, i ftuar nga Kryeministri i Bavarisë z.Markus Söder. “Një mik i çmuar me të cilin kemi ndërtuar marrëdhënien e një partneriteti të posaçëm mes Shqipërisë dhe Bavarisë”, shkroi Rama në Facebook, ku publikoi edhe pamje nga takimi, por pa dhënë më shumë detaje, shkruan A2 CNN.

Paradite, kryeministri thirri në mbledhje ekipin që po mbikëqyr dhe analizon punët e Bashkisë së Tiranës, por publikisht vëmendjen e çoi në Theth. Ai e bëri të qartë se nuk do të ketë asnjë tërheqje nga aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje në këtë zonë turistike. Ndryshe nga pretendimi i banorëve, ai shprehet se bëhet fjalë për ndërtime pa leje të ngritura për qëllime fitimi, nga persona që nuk janë nga Thethi.

Shefi i qeverisë ia bëri të qartë priftit të zonës që të mos ndërhyjë për të ulur shtetin në dialog me banorët, me pretendimin që objektet e prishura nuk janë trashëgimi e të parëve, por të ngritura gjatë fushatës zgjedhore, shkruan A2.

Rama zbuloi që nuk i kishte dalë ende inati me pronarin faktik të ndërtimit në qendër të fshatit, ndaj të cilit po pret hetimet e policisë.

Jo vetëm kontrollin e territorit, por qeveria pritet të ndërmarrë reforma për ujin e pijshëm dhe trajtimin e plehrave.

Në takimin me dyer të mbyllura, Rama ka kërkuar rifreskimin e administratës së bashkive qendër qarku. Nga ky rregull përjashtim do të bëjë Tirana, e cila procesin e metamorfozës do ta kryejë me ritme të tjera, duke mbajtur në konsideratë specifikën e kryetarit të arrestuar.

Mësohet nga A2 CNN se Kryeministri u ka thënë njerëzve të tij që ky proces është i rëndësishëm pasi pas dy vitesh PS shkon në zgjedhje lokale, edhe pse për kryeqytetin as në këtë takim nuk e ka qartësuar ekipin nëse do ta çojë para kohe në kutitë e votimit.

Gjithashtu, Rama ka urdhëruar Ministrin e Drejtësisë që t’u heqë licencën çdo noteri që u merr para pensionistëve në këmbim të shërbimeve që ofrohen nga E-Albania, duke kërkuar që këtë shërbim ta ofrojnë falas bashkitë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos