Vetëvendosje e cilësoi mbështetës të Gjykatës Speciale, reagon Edi Rama

Nga A2 CNN
16 Tetor 2025, 09:54 | Politikë

Vetëvendosje e cilësoi mbështetës të Gjykatës

Kryeministri Edi Rama reagoi pas një statusi të Lëvizjes Vetëvendosje e cila e cilësoi kreun e qeverisë shqiptare si një prej mbështetësve dhe lobistëve kryesorë për krijimin e Gjykatës Speciale.

Rama shkruan se Gjykata Speciale u ngrit për trafikun e organeve, jo për të marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës.

“Lëvizja Vetëvendosje më paska kushtuar një çarçaf të gjatë, ku shkruan se përpara 10 vjetësh unë paskam qenë pro kurse ajo paska qenë kundër Gjykatës Speciale… Ndërkohë unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kurdo e kudo ka qenë rasti a nevoja, ndërsa Lëvizja dihet se sa ka lëvizur në atë drejtim.

Por unë s’jam në asnjë lloj gare me Lëvizjen dhe më vjen keq që Lëvizja i ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë në çorbën e balotazheve komunale, ndërsa për qëndrimet e para 10 vjetëve - kur ajo nuk njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë - i kujtoj Lëvizjes se Gjykata Speciale u ngrit për trafikun e organeve, jo për të marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës.

Dhe e fundit, unë as nuk jam organizator e as nuk jam folës i  protestës gjithëkombëtare “Drejtësi për Çlirimtarët”, të cilën e mbështes megjithë zemër e do t’i bashkohesha si pjesëmarrës i thjeshtë, nëse nuk do të isha i vetëdijshëm se çdo politizim me dashje ose jo i asaj nisme, do të dëmtonte qëllimin dhe popullaritetin e saj”, shkruan Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos