Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në Londër, ku do të marrë pjesë në Samitin e radhës të Procesit të Berlinit, që do të mbahet më 22 tetor.
Gjatë qëndrimit në kryeqytetin britanik, Kurti pritet të zhvillojë disa takime bilaterale me liderë të rajonit dhe të Bashkimit Evropian, si dhe të marrë pjesë në një sërë ngjarjesh të organizuara në kuadër të samitit.
Në këtë samit do të jetë i pranishëm edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Të dy liderët pritet të ndajnë të njëjtën tryezë pas përplasjeve të fundit në distancë lidhur me tubimin në mbështetje të UÇK-së të mbajtur në Tiranë dhe qëndrimet për Gjykatën Speciale.
Temat kryesore të samitit do të jenë siguria, zhvillimi ekonomik dhe migrimi, ndërsa liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor pritet të nënshkruajnë deklarata të përbashkëta mbi Tregun e Përbashkët Rajonal dhe bashkëpunimin në fushën e energjisë.
Procesi i Berlinit, i iniciuar nga Gjermania në vitin 2014, synon të forcojë bashkëpunimin rajonal dhe përshpejtojë integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. (A2 Televizion)