Pas Shkodrës, në Laç, SHBA kërkoi goditjen e krimit, Koçiu në terren për varrezat e makinave

Nga A2 CNN
27 Shtator 2025, 19:06 | Politikë

Një ditë pasi e ngarkuara me Punë në Ambasadën e Shteteve të bashkuara të Amerikës në Tiranë Nancy VanHorn i kërkoi të çmontonte rrjetet e trafikut të drogës, Albana Koçiu tashmë në krye të Ministrisë së Brendshme zbriti në terren por për tjetër objektiv, zhdukjen e varrezave të makinave.

Nga Laçi, ministrja Koçiu e shoqëruar nga kryebashkiakja e Kurbinit, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe kryeinspektorja e Agjencisë së Administrimit te Pasurive te Sekuestruara dhe te Konfiskuara, përsëriti angazhimin për të zbatuar porosinë e kryeministrit Rama të lënë në fund të gushtit.

 “Falë aksionit që kemi ndërmarrë me një sërë agjencish të MPB-së, por edhe të institucioneve të tjera, falë mbështetjes së Policisë së Shtetit dhe punës së lavdërueshme AAPSK-së, por edhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit, pra një pune ndërinstitucionale, kemi filluar evidentimin, seleksionimin e gjithë këtyre mjeteve të depozituara këtu prej vitesh në një hapësirë publike”, tha ministrja.

I vendosur për arritjen e objektivit të “zhdukjes së varrezave të makinave” me qëllim kthimin e tyre në hapësira për qytetarët e konfirmoi edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda.

“Veç faktit që janë kthyer në gangrenë mjedisore, kërkojnë dhe shërbime policore për t’u ruajtur, të cilat tani do t’u kthehen qytetarëve. Është një nga 24 pikat në Shqipëri. Është e dyta që e ka mbaruar këtë proces pas Shkodrës dhe është nga më të mëdhatë”, deklaroi drejtori i policisë.

Një aksion i ngjashëm u zhvillua më herët në Shkodër. Në vijim pritet që radhën ta kenë edhe qytete të tjera, deri në zhdukjen përfundimtare të 24 pikave problematike në gjithë Shqipërinë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos