Risi në Tepelënë, për herë të parë votat i numëron Inteligjenca Artificiale

Nga A2 CNN
9 Nëntor 2025, 21:37 | Politikë

Në Tepelenë ka nisur procesi i numërimit të votave. Gazetari i A2CNN, Rigels Malile, në një lidhje të drejtpërdrejtë me studion e “Terminal” nga Aurora Sulçe, deklaroi se në Tepelenë do të ketë edhe një risi: numërimi i votave edhe me inteligjencë artificiale.

“Ka nisur në Pallatin e Kulturës së Tepelenës procesi i numërimit për votat që do të nxjerrin kryetarin e ri të Bashkisë së Tepelenës. Pjesëmarrja në zgjedhje për Bashkinë e Tepelenës ka qenë relativisht më e ulët sesa dy zgjedhjet e fundit. Situata gjatë gjithë ditës së sotme, që prej orëve të para të mëngjesit dhe deri në mbrëmje ka kaluar e qetë. Nuk ka patur asnjë problematikë të lidhur me procesin zgjedhor dhe gjithçka ka shkuar normalisht”, tha Rigels Malile.

Gazetari i A2 CNN shtoi se “janë për t'u numëruar 21 kuti” dhe se Inteligjenca Artificiale do të vijë në ndihmë.

“Një risi që është duke u eksperimentuar tashmë në Bashkinë e Tepelenës është numërimi edhe me anë të inteligjencës artificiale. Do të jetë një numërim që do të bëhet si një projekt pilot, pra për t'u marrë një shembull se si mund të përdoret inteligjenca artificiale në numërimin e fletëve të votimit, por që si përfundim do të jetë përsëri numërimi manual nga numëruesit, përfaqësues të dyja partive, që do të vendosin rezultatin e këtyre zgjedhjeve në Bashkinë e Tepelenës”, u shpreh Rigels Malile. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos