Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar menjëherë pas lirimit nga burgu i Fierit, ku vuante një dënim me 1 vit heqje lirie për kallëzim të rremë në çështjen “Babale”.
Salianji, i cili qëndroi pas hekurave prej tetorit 2024, deklaroi për mediat se burgosja e tij ka qenë një hakmarrje politike për ta shmangur nga gara zgjedhore, shkruan A2 CNN.
“Më shumë se 9 muaj burg këtu në Fier për arsye politike, i dënuar për shkak se kam denoncuar dhe kam çuar para drejtësisë një trafikant ndërkombëtar droge. Siç e shihni, është edhe një vetëdemaskim edhe nxjerrja në këtë periudhë. Është dënim për të më shmangur nga beteja zgjedhore, është dënim për shkak të fitores që kam pasur në raport me PS-në,” tha Salianji.
Ai shtoi se pas mbërritjes në selinë e Partisë Demokratike në Tiranë do të ketë një komunikim më të gjatë me publikun dhe mbështetësit.
Sipas tij, koha e kaluar në burg është një mesazh për të gjithë demokratët që, siç u shpreh ai, duhet të frymëzohen për të vazhduar betejën kundër regjimit të instaluar në vend.
“Çdo ditë e imja në burg është një denoncim ndaj regjimit që është instaluar në Shqipëri. Besoj që është një burim frymëzimi për mijëra demokratë,” përfundoi ish-deputeti.
Salianji u prit nga deputeti Luan Baçi dhe eksponentë të shumtë të Partisë Demokratike. (A2 Televizion)