Sherri për pagat, ministri Gogu: Zgjidhja në Kuvend, do të miratohet ligji i ri

Nga Anesti Barjamemaj
5 Shtator 2026, 14:19 | Politikë

Refuzimit për rritjen e pagës së magjistratëve pa miratuar më parë ligjin në kuvend iu bashkua edhe ministri i Drejtësisë. Për të qetësuar KLGJ e KLP, Toni Gogu doli në deklaratë të posaçme për mediet ku premtoi zbatimin e vendimit të gjykatës kushtetuese, ku përfitimet do të nisin prej vitit 2023.

“Paraja publike është para e qytetarëve, nuk është e qeverisë. Çdo qindarkë e buxhetit të shtetit duhet të ketë autorizim ligjor për t’u shpenzuar. Përgjegjshmëria ndaj buxhetit dhe zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk janë në luftë me njëra-tjetrën. Përkundrazi, kërkojnë të njëjtën gjë: autorizimin e qartë ligjor për ta zbatuar”.

Sherrnajën e krijuar gjatë ditëve të nxehta të gushtit, ministri tentoi ta minimizonte duke e lidhur problemin vetëm me mungesën e bazës ligjore. Ashtu si ministri i Financave dhe Gogu shton se formula e pages duhet votuar më parë nga deputetët.

“Duhet ta themi troç: kemi arritur këtu sepse na mungon baza ligjore për formulën e pagës së magjistratëve, të cilën Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi. Ky boshllëk duhet të plotësohet atje ku e ka vendin: në Kuvend, me ligj”.

Përplasjen institucionale, Gogu thotë se do ta zgjidhë Kuvendi me nisjen e sesionit të ri parlamentar.

“Zgjidhja nuk është që institucionet të përplasen me njëra-tjetrën. Zgjidhja është në Kuvendin e Shqipërisë. Detyra ime është që kjo të bëhet shpejt dhe sa më mirë”.

Çështja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve ka përplasur qeverinë me gjyqësorin. Gjykata Kushtetuese ka detyruar Kuvendin që të ndryshojë ligjin për llogaritjen e pagave të togave të zeza, por Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk pritën vendimin e legjislativit por vendosën që të rrisin vetë pagat e tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos