Në një moment vendimtar kur Shqipëria ka nisur negociatat dhe ka hapur disa prej grupkapitujve të rëndësishëm të integrimit në Bashkimin Europian, deputetja e Partisë Demokratike dhe Kryetarja e Komisionit të Çështjeve Europiane, Jorida Tabaku, së bashku me Peter Beyer, drejtues i Grupit për Ballkanin Perëndimor në Bundestagun Gjerman nga CDU, kanë publikuar një editorial të përbashkët në gazetën prestigjioze gjermane Frankfurter Rundschau.
Peter Beyer, njohës i shkëlqyer i rajonit, së bashku me Tabakun, në analizën e tyre kanë vënë theksin tek sfidat që rajoni duhet të kalojë drejt integrimit në BE. Ata kanë theksuar se negociatat duhet të përkthehen në reforma reale, të prekshme dhe të konsoliduara, që të përmirësojnë jetën e qytetarëve.
Duke nënvizuar rëndësinë e reformave të thella strukturore, gjithëpërfshirjen e aktorëve politikë dhe zhvillimin ekonomik, editoriali e sheh demokracinë reale si të pamundur pa media të pavarura dhe institucione demokratike të besueshme. Ata kanë theksuar gjithashtu domosdoshmërinë e sundimit të ligjit, llogaridhënien politike dhe përmirësimin e qeverisjes përmes rolit të Kuvendit dhe respektimit të vendimeve të Gjykatës si elementë kyç për suksesin e procesit të integrimit.
Në mënyrë të veçantë, editoriali nënvizon rëndësinë e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe të besueshme, duke theksuar se pa standarde të qarta zgjedhore dhe procese zgjedhore transparente, rajoni nuk mund të ketë asnjë progres real drejt integrimit europian. Zgjedhjet e drejta janë themeli mbi të cilin ndërtohet besimi qytetar në demokraci dhe në institucionet shtetërore.
Në editorial është vënë në dukje rëndësia e veçantë e rolit të Gjermanisë, veçanërisht nën një kancelar të djathtë nga CDU/CSU, Friedrich Merz, duke kujtuar se ka qenë pikërisht Procesi i Berlinit, i nisur nga një kancelar konservator, që krijoi një mundësi reale për integrimin e rajonit dhe tejkalimin e ngërçit në të cilin Ballkani kishte ngecur.
Tabaku dhe Beyer kanë bërë apel Bashkimit Europian që të lëvizë përtej retorikës, duke treguar se integrimi europian kërkon veprime konkrete dhe angazhim të vazhdueshëm politik dhe ekonomik për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ata kanë dakordësuar për nevojën e forcimit të rolit të parlamenteve në procesin e integrimit, duke propozuar ura lidhëse mes parlamenteve të rajonit dhe atyre të vendeve të BE-së.
Tabaku prej vitesh është angazhuar në forcimin e rolit të Kuvendit në këtë proces integrimi, duke i dhënë një tjetër qasje rolit të Komisionit të Çështjeve Europiane dhe KKIE në këtë proces. Beyer, njohës i mirë i rajonit, kërkon rritjen e rolit të Bundestagut në rajon dhe shtimin e investimeve të huaja në të. (A2 Televizion)