Takimi me ministrat dhe drejtuesit politikë, Rama mbërrin te Vila Qeveritare, zona "blindohet" nga policia

Nga A2 CNN
28 Gusht 2026, 17:09 | Politikë

Takimi me ministrat dhe drejtuesit politikë, Rama mbërrin te Vila

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Vilën Qeveritare, ku në orën 18:00 do të zhvillojë një takim me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste dhe ministrat.

Takimi ishte parashikuar të zhvillohej në selinë e Partisë Socialiste, por është zhvendosur në Vilën Qeveritare. Ndryshimi i vendndodhjes vjen pasi protestuesit kishin bërë thirrje për grumbullim pranë selisë së PS-së.

Ndërkohë, nga zona e Ambasadës Amerikane deri te Vila Qeveritare, rruga është e mbushur me forca policie. Në hyrje të vilës është vendosur gjithashtu një perimetër sigurie, ku nuk lejohet kalimi i personave pa autorizim.

Përveç ministrave dhe drejtuesve politikë, në takim është i pranishëm edhe kreu i AKSHI-t.

Takimi pason mbledhjet dyditore të socialistëve në Pogradec dhe mbledhjen e djeshme të qeverisë.

Gjatë takimit, Rama pritet t’u japë drejtuesve politikë udhëzimet për punën që duhet të nisin në zonat e tyre elektorale, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet lokale të vitit 2027.

Drejtuesit politikë pritet të zhvillojnë takime me strukturat e PS-së për prezantimin e dokumenteve strategjike të mazhorancës, “Besën” dhe “Praninë Besnike”.

Në Pogradec u prezantua edhe platforma “Pasqyrë Albania”, e cila synon të mbledhë dhe të ndjekë ankesat e qytetarëve. Sipas projektit, problematikat duhet të marrin përgjigje brenda dy javësh, ndërsa qytetarët do të kenë mundësi të ndjekin në kohë reale se në cilin institucion ndodhet kërkesa e tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos