Berisha takon Plenković: Integrimi të bazohet në meritë dhe në përmbushjen e standardeve

Nga A2 CNN
1 Maj 2026, 09:48 | Politikë

Berisha takon Plenković: Integrimi të bazohet në meritë dhe

“Procesi i integrimit europian duhet të jetë i bazuar në meritë dhe në përmbushjen e standardeve demokratike”. Kështu deklaroi kryedemokrati Sali Berisha gjatë takimit me kryeministrin e Kroacisë Andrej Plenković, në kuadër të punimeve në Forumin e International Democrat Union (IDU) në Zagreb, raporton A2CNN. 

Diskutimet u përqendruan në zhvillimet politike në Shqipëri dhe rajon, si dhe në procesin e integrimit europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

U vlerësua veçanërisht përvoja e suksesshme e Kroacisë si një model integrimi i bazuar në meritë dhe në përmbushjen reale të standardeve demokratike.

Në deklaratën për mediat të PD, thuhet se gjatë takimit Berisha u ndal në shqetësimin e thellë mbi situatën në Shqipëri, duke theksuar: regresin demokratik dhe tendencat autokratike të qeverisjes, mungesën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ndikimin e krimit të organizuar dhe karteleve të drogës në procesin zgjedhor dhe në jetën ekonomike të vendit, nivelet e larta të korrupsionit dhe mungesën e llogaridhënies dhe të checks and balances.

Të dyja palët ranë dakord që procesi i integrimit europian duhet të jetë i bazuar në meritë dhe në përmbushjen e standardeve demokratike, duke shmangur një qasje të bazuar vetëm në konsiderata gjeostrategjike. Nga ana e tij, Kryeministri Andrej Plenković rikonfirmoi mbështetjen e Kroacisë për Shqipërinë dhe për procesin e integrimit europian, duke nënvizuar rëndësinë e një procesi të bazuar në meritë. Në përfundim, palët ranë dakord për forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e eksperiencave, me synim mbështetjen e demokracisë dhe të ardhmes europiane të Shqipërisë dhe rajonit”, vijon njoftimi.  

Berisha shoqërohej nga Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, deputetët Albana Vokshi dhe Belind Këlliçi, si dhe Sekretari për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Enri Çeno. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos