Task-forca e SPAK për 11 majin, Krasniqi: Nuk i përmbushi pritshmëritë, ja pse u pengua puna

Nga A2 CNN
14 Tetor 2025, 20:46 | Politikë

Analisti Afrim Krasniqi teksa analizonte raportimin e rezultateve SPAK për vitin 2024, që kreu i Prokurorisë së Posaçme bëri në Komisionin e Ligjeve, tha në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN se puna e task-forcës për zgjedhjet e 11 majit ishte ajo që linte për të dëshiruar.

Sipas Krasniqit vetë raportimi ishte paradoksal disi pasi ne jemi në fundin e vitit 2025 dhe po raportohej për 2024. “Kjo reflektonte dhe hendekun e madh midis çfarë institucionet raportonin dhe çfarë publiku dhe deputetët presin. Domethënë institucionet raportojnë për vitin 2024”, deklaroi ai.

Më tej Krasniqi nënvizoi se task-forca e ngritur para zgjedhjeve të përgjithshme me KQZ dhe Prokurorinë e Përgjithshme nuk e parandaloi blerjen e votës dhe eksponentët e krimit të organizuar vijuan të bënin fushatë në terren, duke intimiduar qytetarët.

“Një sërë gjërash për të cilat u konsuamuan me zotin Dumani pas Prokurorit të Përgjithshëm lidheshin me Prokurorin e Përgjithshëm dhe nuk u arrit të konsumoheshin atje. Përfshi dhe krime zgjedhore sepse gabimi i SPAK mendoj unë, gabimi strategjik ishte krijimi i madh i pritshmërive që Task-Forca do ndalojë blerjen e votës. Por nëse e marrim këtë pritshmëri praktikisht SPAK nuk arriti dot ta përmbushte. Nëse ne analizojmë mekanizmin pse nuk arriti se ne e kemi monitoruar dhe e vetë SPAK-un ditën e zgjedhjeve edhe më vonë është normale sepse nuk mund ta arrish këtë pritshmëri nëse ti nuk bashkëpunon. Nëse policia nuk të përgjigjet. Kur Byroja Kombëtare e Hetimit nuk është efektive. Nëse strukturat ligjzbatuese nuk janë efektive dhe nëse aktorët politikë nuk pranojnë rregullat e lojës edhe para votimit dhe ditën e votimit. Dhe nëse strukturat lokale po ashtu nuk përgjigjen dhe në këtë rast dukeshin sikur ishte një strukturë e huaj e ardhur në Shqipëri ditën e zgjedhjeve. Ata të tjerët vazhdonin të bënin atë që kanë bërë gjithmonë dhe ky ishte paradoks i madh”, tha Krasniqi në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN.

Më tej ai nënvizoi se ky është SPAK-u që e kemi krijuar dhe kur vjen puna tek pritshmëritë, institucioni ka realizuar disa prej tyre, siç është vendosja pas hekurave e disa njerëzve të pushtetshëm.

“Kush ka pasur pritshmërinë që çdo njeri i korruptuar në këtë vend do arrestohet, kjo është utopi e madhe. Nuk ndodh kurrë, por kush ka pasur këtë pritshmëri që individët e paprekshëm dhe gjithëpushtetshëm do përballen një ditë me drejtësinë, sot e kemi këtë fakt. Sot si asnjëherë në historinë tonë kemi pasur individ të pushtetshëm përballë drejtësisë”, u shpreh Krasniqi në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos