Të gjitha kritikat e ODIHR për “11 majin”, përdorim i administratës, patronazhimi dhe intimidimi i opozitës

Nga Fjorela Beleshi
23 Tetor 2025, 17:18 | Politikë

Në zgjedhjet e 11 majit, në të cilat PS fitoi me 83 mandate, gara ishte e pabarabartë. Në gjetjet e raportit përfundimtar të ODIHR thuhet që qytetarët shqiptarë kishin mundësi të zgjidhnin mes disa subjekteve zgjedhore, por PS përdori administratën shtetërore gjatë fushatës elektorale, duke krijuar një avantazh të padrejtë.

ODIHR: “Votuesit kishin mundësi zgjedhjeje mes alternativave politike, dhe pjesëmarrësit në garë, në përgjithësi, gëzonin liri për të bërë fushatë, por terreni i garës nuk ishte i barabartë, pasi partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative dhe ndikimi institucional, duke e bërë të paqartë ndarjen midis shtetit dhe partisë.”

Jo vetëm PS përfitoi nga pushteti me burime njerëzore, por ODIHR thotë se qeveria e Edi Ramës fali gjoba vetëm pak ditë para datës së zgjedhjeve. Edhe pse nuk lejohet me ligj, KQZ u dorëzua, duke e justifikuar këtë duke thënë se buxheti ishte miratuar më herët.

ODIHR: “Më 9 maj, me qëllim, në dukje, për të ndikuar tek zgjedhësit, qeveria vendosi të falte gjobat për ndërtime të paleja, shkelje të kufizimeve të vendosura lidhur me COVID-19, si dhe gjoba të vendosura fermerëve dhe blegtorëve në periudhën 2015-2024. Gjithashtu, pak kohë para periudhës së fushatës dhe gjatë saj, ministrat dhe Kryeministri angazhuan në aktivitete zyrtare, promovuan disa investime dhe projekte infrastrukturore, duke kontribuar në përgjithësi në avantazhin e partisë në pushtet dhe, herë-herë, duke bërë fushatë haptazi.”

Në këtë dokument prej 24 faqesh, ODIHR ngre shqetësimin për përdorimin e sistemit të patronazhit nga ana e mazhorancës socialiste, duke e cilësuar në kundërshtim me standardet ndërkombëtare.

ODIHR: “Pati pretendime për presion ndaj punonjësve të administratës publike, raste intimidimi të mbështetësve të opozitës, si dhe përdorim të rrjeteve të patronazhit, çka bie ndesh me standardet ndërkombëtare. Çështje të tjera shqetësuese përfshijnë raportimet për shit-blerje votash, tentativat për të ndikuar pa të drejtë tek zgjedhësit e margjinalizuar, si dhe pretendime për ndikim të elementëve kriminalë në disa parti politike. U raportuan edhe raste zgjedhësish që pretendonin se kishin frikë nga hakmarrja nëse shiheshin në aktivitete të partive opozitare dhe raste intimidimi të kandidatëve të opozitës dhe të disa kandidatëve të partisë në pushtet. Fshehtësia e votës u komprometua gjithashtu nga ndërhyrjet e vëzhguesve të partive ose të anëtarëve të KQV-ve.”

Në zgjedhjet e 11 majit, pjesa dërrmuese e kandidatëve bëri fushatë në rrjetet sociale, por sipas gjetjeve të ODIHR, kjo fushatë ishte e pakontrolluar për shkak të mungesës së legjislacionit. ODIHR shpreh shqetësimin për partitë jo parlamentare, që me mbylljen e TikTok, u dëmtuan kandidatët e tyre. Fushata në rrjetet sociale nuk është rregulluar shprehimisht dhe nuk ka asnjë autoritet rregullator të ngarkuar me ligj për monitorimin e aktiviteteve të fushatës në rrjetet sociale dhe për të identifikuar rastet e dizinformimit, përmbajtjeve manipuluese apo të shfaqjes së sjelljeve joautentike. Më 6 mars, Këshilli i Ministrave ndaloi përkohësisht platformën TikTok, një ndalim që nuk është në përputhje me standardet ndërkombëtare, shkruan A2 CNN.

Një tjetër problematikë e evidetuar nga ODIHR lidhet me financimin e partive politike dhe të fushatave zgjedhore. Në raport thuhet që paratë për fushatë janë të pakontrolluara. Megjithëse kërkohet me ligj, asnjë nga kandidatët nuk publikoi të dhëna për donacionet, huatë apo kreditë që morën, duke e dëmtuar edhe më shumë transparencën. Megjithatë, KQZ-ja nuk kërkoi të ndërmerrte asnjë veprim, pasi KQZ-ja nuk ka instrumente ligjore për të siguruar përmbushjen e parashikimeve ligjore. Shpenzimet për fushatat online dhe shpenzimet e palëve të treta nuk janë të rregulluara qartë, gjë që mund të çojë në përdorimin e pakontrolluar të fondeve në fushatë. Këto boshllëqe mund të hapin rrugën për përdorimin e fondeve të paligjshme dhe të pajustifikuara, si dhe anashkalimin e rregullave në fuqi.

Edhe pse ODIHR e sheh si hap pozitiv krijimin e Task Forcës për zgjedhjet mes SPAK, KQZ dhe PP, sërish mendon që ka ende nevojë për adresimin e krimeve zgjedhore. Shqetësuese janë raportimet për rolin e policisë së shtetit.

“SPAK-u perceptohet përgjithësisht si një institucion i besuar nga bashkëbiseduesit dhe si një institucion që mund të kishte një efekt frenues. Megjithatë, disa bashkëbisedues ngritën shqetësime lidhur me efikasitetin e policisë në trajtimin e veprave penale të lidhura me zgjedhjet, edhe kur ato lidhen me rrjete të krimit të organizuar.”

Për sa i përket menaxhimit të zgjedhjeve nga ana e KQZ, ODIHR e cilëson si pozitive, pavarësisht se nuk respektoi ligjin për tentimin e përdorimit të teknologjisë në 10% të zgjedhësve, por e testoi në vetëm 2 zona. Ndërsa tregohet e ashpër me politikat që refuzojnë të implementojnë rekomandimet e ODIHR, duke përfshirë përbërjen e komisioneve zgjedhore të niveleve më të ulëta, të drejtën e votës së personave me aftësi të kufizuara intelektuale apo psikosociale, përgjegjësinë penale të shpifjes, mbulimin e pavarur mediatik gjatë fushatave zgjedhore, raportimin e ndërmjetëm mbi financimin e fushatës dhe zgjerimin e fushës së zbatimit të rregullave të financimit për të përfshirë edhe palët e treta. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos