Në takimin e sotëm me 61 kryebashkiakët e vendit për tryezën e “Paketës së Maleve”, kryeministri Edi Rama ka qenë i ashpër me drejtuesit lokalë, duke i kritikuar se janë shumë të vonuar në përgatitjen e hartave të zonave prioritare.
Shefi i qeverisë e kritikoi fillimisht kryebashkiakun e Kukësit, Albert Halilaj, të cilit i tha se e dëgjon por nuk arrin ta kuptojë, aq më tepër ku sipas Ramës shtysa kryesore për krijimin e Paketës së Maleve kanë qenë vetë kuksianet.
“Njëherë përcaktimin e zonave, duke përfshirë në këndvështrimin tim sa më shumë territore. Më dëgjon ti kryetari i Bashkisë së Kukësit? Ëëë? Ti më dëgjon por nuk di a më kupton sepse një nga shtysat kryesore për Paketën kanë qenë kuksianet. Ku niveli i interesimit për të investuar në ato territore është shumë i lartë nga ata që janë në emigracion. Edhe sa herë kam ardhur atje, edhe zotrote ma ke ngrit këtë problem që kemi shumë kërkesa por s’kanë letrat e tokës se nuk e kanë pranuar 7501. Ka 5 muaj që i ke në dispozicion të gjithë instrumentet dhe ti akoma nuk ke sjellë hartën që është fare e thjeshtë, nuk ka shkencë. Hiq qytetin dhe i gjithë territori përjashto zonat e mbrojtura me ligj është brenda kësaj pakete. Patjetër që duhet bërë urgjent harta por duhet ngrit edhe një task-forcë në çdo bashki, që ti rri pronto njerëzve që shprehin interesin, që t’ua lehtësojnë procesin, sepse 500 të parët që do marrin kontratën 10 vjet nuk do paguajnë asnjë lloj takse. Duhet ti rrini pronto atyre që kanë shprehur interesin”, i tha Rama, kryebashkiakut të Kukësit.
Rama “i tërhoqi veshin” edhe kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdari, i cili tha se nuk ka dorëzuar hartat pasi po pret përgjigje nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, për ti përcaktuar ato. Kryeministri tha se Hajdari nuk e ka kuptuar ende paketën e maleve, për sa kohë pret një përgjigje nga ASHK.
DEBATI
Rama: Unë i kam thënë edhe disa deputetëve që të bëjnë amendimet përkatëse të ligjit dhe me shpejtësi të lehtësohet ligji nga ndonjë ngarkesë e tepër. Por ama ngarkesat s’kanë lidhje me vonesat nga ana juaj. Ti Kreshnik për shembull, ça të ka penguar ty që të bësh hartën e zonave prioritare dhe ta dërgosh në qeveri.
Hajdari: E kam dërguar...
Rama: Pse nuk e ke dërguar në qeveri? Ku e ke dorëzuar?
Hajdari: I kemi shpallur zonat prioritare ne kryeministër.
Rama: Ku i ke dërguar more, se zonat prioritare nuk i shpall ti. Zonat prioritare ti i identifikon, i çon te ministri i pushtetit vendor dhe ai ja jep qeverisë për miratim.
Hajdari: Jemi duke pritur përgjigje nga ASHK-ja.
Rama: Ti nëse je duke pritur përgjigje nga ASHK-ja, se nuk ta drejtova kot pyetje, të pash ty por ia drejtoj edhe të gjithë të tjerëve. Nëse ti pret përgjigje nga ASHK-ja, s’ke kuptuar ligjin. Nuk ke kuptuar paketën, nuk ke kuptuar asgjë. Sepse paketa është ekzastësisht, ilaçi për një dhimbje 30 e kusur vjeçare të njerëzve që e kanë tokën, nuk e kanë pranuar 7501, ose për një mijë e një arsye nuk e kanë marrë akoma dokumentin që i jep me letër atë që kanë me zakon dhe duan të investojnë në tokën e tyre, mirëpo, të gjithë kemi ngritur duart lart me vite sepse s’kanë letrat. Bëmë ligjin 2020 për të adresuar këtë problem por përsëri pati një komplikim të pashmangshëm mendoj unë për të marrë të gjitha miratimet e atyre kufitarëve të pronës përkatëse.
Sakaq, kryebashkiakut të Këlcyrës Klement Ndoni, kryeministri i ka kërkuar të nisë investimet dhe me humor i tha se nëse arrin ta bëjë brenda muajit, do ta zëvendësojnë për pesë minuta me bustin e Ali Pashës në Tepelenë.
“Dëgjove Klement. Ta kam thënë qëkur jemi njohur bashkë. Gjithë ajo gjë e bukur atje që e ke mbi kokë, bëje një projekt atje. Je duke u marr po si po merresh. Nuk je Benjamin Baton që shkon duke u bërë më i ri. Brenda muajit do e fillosh? Po e fillove brenda muajit, të gjithë këta që janë këtu, do më mirëkuptojnë që të vijmë atje, të shkojmë në Tepelenë, Tërmeti me dorën e vet do ta heqë Ali Pashën dhe pa të hipur ty atje që të rrish të paktën 5 minuta dhe të gjithë të duartrokasim 5 minuta rresht, të jap fjalën”, tha Rama.
(A2 Televizion)