Paketa e maleve, Berisha: Rama po mbjell farën e armiqësive dhe vëllavrasjes, ftoj investitorët të mos të prekin tokën e tjetrit

Nga A2 CNN
23 Tetor 2025, 13:40 | Politikë

Paketa e maleve, Berisha: Rama po mbjell farën e armiqësive dhe

Ndërkohë që kryeministri Edi Rama po zhvillon takim më të gjithë kryebashkiakët e vendit për Paketën e Maleve, kreu demokrat, Sali Berisha, e akuzon atë se po mbjell farën e armiqësive dhe vëllavrasjes. Në një bashkëbisedim me gazetarët Berisha u bëri thirrje investitorëve që të mos prekin tokën e tjetrit.

“Për sa i përket paketës së maleve, ajo është një plaçkitje e madhe që po bëhet. Edi Rama me asgjë nuk mund të mbulojë armiqësinë e tij të egër ndaj veriut të Shqipërisë dhe zonave malore sepse në vitin 2012, ne miratuam ligjin në të cilin investimin në të gjithë zonat malore e përjashtonim për 8 vite nga taksat. Por nuk autorizonim veten që të merrnim qoftë edhe një centimetër tokë nga dikush. Pra, ai që do bënte investimin, problemin do e zgjidhte me pronarët. Kështu që me këtë që po bën, vetëm po mbjell farën e armiqësive dhe vëllavrasjes. Dhe unë ftoj investitorët, mos të prekin tokën e tjetrit. Nuk ka moral kurrë t’i rrëmbesh tokën tjetrin. Edhe ajo që është komunale është vërtetë komunale”.

Berisha sqaroi se bjeshkët janë pronë me dy origjina dhe se pa marrëveshje me komunitetin nuk mund ta prekësh.

“Ato që quhen bjeshkë atje prona është me dy origjina. Njëra është private, por janë pakicë. Por të tjerat janë komunale dhe kanë qenë komunale në shekuj. Çfarë do të thotë se ai komunitet është pronari i tyre. Dhe ti pa ujdinë e atij komuniteti, pse je shtet, nuk mund të prekësh asnjë centimetër. Është tokë e atij komunitet. Ky po merr baronët e drogës dhe po i ndërsen kundër tokave të qytetarëve. Jo, ky është krim. Ky është krim! E kuptoni, 12 vite ai ka investuar në të gjitha rrethet e veriut më pak se në një rreth të kategorisë së tretë në zonat e tjera? Dhe tani flet për paketën e maleve”.

Kreu demokrat solli në vëmendje edhe aksionin në Theth, për të cilin akuzon kryeminsitrin se u soll më keq se pushtuesit.

“Paketën e maleve e tregoi me Thethin, që u soll më keq se çdo pushtues. Shkatërroi 100 objekte. Del në Sylbicë, spiunojnë patronazhistët, dhe i prish tjetrit objektin, pa pasur asnjë plan absolutisht. Sigurisht duhet të ketë plan dhe sigurisht askush nuk mund të ndërtojë kudo që do. Jo. Se duhet menduar perspektiva. Ato duhet të zhvillohen siç kanë qenë me stane guri. Kanë qenë të sistemuara. Kanë pasur ujin, kanë pasur rrethimin. I kanë pasur të gjitha. Kanë qenë komunitet. Pra, po ta marrësh kështu një fshat i vogël dhe i sistemuar. Kjo nuk do të thotë që të ndërtojnë kudo. Por kjo do të thotë që shteti të shpenzojë dhe të bëjë planin se ku do ndërtojnë. Është fat i madh që po ndërtojnë shtëpi. Ky çon fadromat se spiunojnë patronazhistët dhe i prishin punë dhe ua shkatërron për qëllime politike banesat në bjeshkë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos