“Venecia” merr porosi për ‘Zgjedhoren’, Buquicchio: Rregullat e lojës, jo sipas interesave të lojtarëve

Nga Fjorela Beleshi
20 Tetor 2025, 19:41 | Politikë

Simbolikisht mund të thuhet se misioni i Venecias dhe demokracia shqiptare janë shokë materniteti, kanë lindur në të njëjtën kohë, në vitin 1990”, tha kryeministri Edi Rama në 35-vjetorin e Komisionit të Venecias.

Por rruga e tyre në këto 35 vite nuk ka ecur në të njëjtën korsi maturimi, ku Shqipëria vijon të mbetet një “nevojtare” e opinionit të Komisionit të Venecias.

Duke folur për partneritetin mes Shqipërisë, Këshillit të Europës dhe Komisionit të Venecias, Kryeministri Edi Rama tregoi dy momentet më të rëndësishme të kontributit të tyre për vendin tonë.

“Dy kontribute kyçe ka në Shqipëri. Kodin Zgjedhor dhe reformën në Drejtësi. Pa Komisionin e Venecias do të ishte e pamundur që Shqipëria do të merrte procesin e vettingut. Opinionet e Venecias respektohen dhe janë plotësisht të lidhura me çështje që kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës.”

Komisionit të Venecias nuk i është drejtuar vetëm politika, por për të ka patur nevojë edhe vetë kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, e cila i ka kërkuar një opinion për mandatin e saj. Përballë faktit që edhe Parlamentit e ka sfiduar, apo që është në pritje të një seance për Erion Veliajn, kryetarja në largim e GJK kërkoi që të besohet tek drejtësia kushtetuese shqiptare.

“Një Gjykatë Kushtetuese që nuk guxon është thjesht një institucion dekorativ. nevoja për një opinion nga Venecia nuk mund të vë në dyshim apo të kontestojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Nuk është dekorativ. Nuk është pronë e politikanëve. Nuk kemi lapsin por gomën. Vetëm demokracia nuk mjafton, shumica mund të miratojë ligje që shkelin të drejtën e njeriut. Demokracia duhet të jetë kushtetuese. Drejtësia nuk duhet të jetë vetëm e drejtë, por edhe kushtetuese.”

Konferenca tregoi edhe një herë se “punë” për komisionin do te këtë sërish shumë. Ashtu si paraardhësit e tij në krye të Parlamentit, nuk mund të mungonte edhe një kërkesë e re e Niko Peleshit drejtuar Venecias.

Menjëherë erdhi edhe përgjigja pozitive nga Presidenti i Nderit të Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio. Por si një njohës i mirë i dinamikave politike në Shqipëri, ai kërkoi që rregullat e lojës për zgjedhjet të mos ndryshohen sipas orekseve politike.

“Ligji zgjedhor, rregulla e lojës nuk duhet të ndryshohen në bazë të interesave të disa lojtarëve. Ne jemi në dispozicionin tuaj.”

Buquicchio nënvizoi faktin që ai me anë të “Venecias ka ndihmuar edhe për ndryshimet Kushtetuese në 1998, libri themeltar i shtetit që deri më sot nuk ka pësuar ndryshime themelore”. Por gjatë të martës ekspertë vendas, të huaj, të Këshillit të Europës dhe të Venecias do të diskutojnë për reformat e drejtësisë, zgjedhore dhe kushtetuese.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos