“Ka mbetur dhe një ndërtesë pa shembur”, Rama: Thethi rikthehet në normalitet

Nga A2 CNN
14 Korrik 2025, 21:22 | Politikë

“Ka mbetur dhe një ndërtesë pa shembur”, Rama: Thethi

Kryeministri Edi Rama ka bërë një tjetër reagim për situatën në Theth, ku tashmë operacionet për prishjen e ndërtimeve pa leje kanë përfunduar dhe ka nisur procesi i pastrimit të inerteve të mbetura pas.

Kreu i qeverisë në bilancin e këtij aksioni që hasi në rezistencën e pronarëve të ngrehinave, tregon që janë prishur rreth 100 objekte me mure apo konstruksion druri që kishin dhunuar ligjin për zonat e mbrojtura.

Rama shton se forcat e xhenios nuk do të largohen nga Thethi deri në pastrimin e plotë të inerteve dhe rikthimin e zonës në normalitet.

“Ka nisur sot në Theth me mbështetjen e forcave të xhenios, pastrimi i mbetjeve inerte të ekzekutimit të vendimeve në ngarkim të 40 subjekteve që kishin mbjellë mbi 100 ngrehina pa leje - nga ato me mure tek ato me konstruksion metalik e me dru - në dhunim ekstrem të ligjit për zonat e mbrojtura, të historisë e të peizazhit magjepsës të asaj zone dhe të turizmit që kanë kultivuar në vite ata që kanë sakrifikuar për ta bërë Thethin destinacionin që është sot.

Forcat e xhenios nuk do të largohen nga Thethi deri kur të jetë hequr edhe mbeturina e fundit, ndërkohë që mbetet edhe një godinë masive për t’u shembur, që të përmbyllet ekzekutimi i plotë i vendimeve të IKMT dhe rikthimi i Thethit në normalitetin e para kësaj marrëzie kriminale.

Ka filluar Rilindja Urbane 2.0 si domosdoshmëri jetike për Shqipërinë 2030 në BE”, shkruan Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos