Policia u ka ardhur në ndihmë dy turistëve nga Zvicra, të cilët humbën rrugën gjatë eksplorimit të zonës së Shebenikut në Librazhd.
Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se në ndihmë të tyre shkuan edhe punonjës të zonave të mbrojtura, shkruan A2 CNN.
Po ashtu, Policia njofton se pas disa orësh kërkime, turistët u gjetën në gjendje të mirë shëndetësore.
Njoftimi i Policisë:
Shebenik, Librazhd-Humbën rrugën gjatë eksplorimit të zonës së Shebenikut, Policia iu erdhi në ndihmë 2 turistëve nga Zvicra.
Salla Operative e Komisariatit të Policisë Librazhd mori njoftim se një çift turistësh kishte humbur rrugën gjatë eksplorimit të malit të Shebenikut.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë së Librazhdit u nisën drejt zonës për të lokalizuar dhe ndihmuar turistët. Në mbështetje të tyre shkuan edhe punonjës të zonave të mbrojtura.
Pas disa orësh kërkime, turistët u gjetën në gjendje të mirë shëndetësore.
Turistët falënderuan punonjësit e Policisë për gatishmërinë dhe ndihmën e dhënë, si dhe punonjësit e zonave të mbrojtura.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan mbetet e angazhuar maksimalisht për të garantuar sigurinë e turistëve dhe vizitorëve që zgjedhin vendin tonë (A2 Televizion)