Agjencia e Mbikqyrjes Policore (AMP) ka arrestuar një punonjës policie të komisariatit të Krujës dhe ka shpallur në kërkim të vëllanë e tij.
Burime për A2 CNN bëjnë me dije se efektivi dyshohet për kultivim kanabisi dhe i janë gjetur edhe armë pa leje, më saktë dy pistoleta të tipit 'TT' dhe një sasi fishekësh.
Po ashtu mësohet se efektivi i arrestuar është shtetasi Elson Leka, shkruan A2 CNN.
Ndërkohë materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë e Tiranës, për veprime të mëtejshme hetimore.
Njoftimi i AMP:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës - Kavajë) në bashkëpunim me DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë E. L., me detyrë Trupë shërbimi / Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Fushë - Krujë i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kultivim i bimëve narkotike” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake”.
Arrestimi i tij u bë i mundur në kuadër të operacionit të koduar “Bashkëpunimi”, ku nga hetimet proaktive me metoda speciale dyshohet se pununonjësi i policisë në bashkëpunim me vëllain e vet Ç. L., (i shpallur në kërkim), rreth orës 11:30 kanë qenë të pranishëm në një zonë pyjore në Njësinë Administrative Cudhi, Krujë, ku janë konstatuar parcela me 65 bimë narkotike të dyshuar “Cannabis Sattiva”. Pasi kanë konstatuar praninë e policisë janë larguar rreth për ti shpëtuar kapjes.
Nga kontrolli fizik iu gjetën dy armë zjarri tip pistoletë të markës “TT” dhe një sasi fishekë. Gjatë kontrollit të banesës gjithashtu u gjet një sasi tjetër me fishekë, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. (A2 Televizion)