Zgjedhjet e pjesshme lokale në Vlorë, Gjergj Nika shpall kandidaturën si i pavarur

Nga A2 CNN
19 Tetor 2025, 16:03 | Politikë

Zgjedhjet e pjesshme lokale në Vlorë, Gjergj Nika shpall

Opozita në Vlorë duhet se do të hyjë në zgjedhjet e pjesshme lokale e përçarë.

Përfaqësuesi Gjergj Nika, që më parë ka qënë pjesë e PD dhe më pas me grupimin Basha, sapo ka shpallur kandidaturën si i pavarur në zgjedhjet e pjeshme të 9 Nëntorit në qytet.

Gjergji Nika në postimin në rrjetet sociale e konfirmon këtë gjë, teksa krahas kritikave për PS nuk lë mënjanë as sulmet politike për PD Vlorë.

Postimi i Gjergj Nika:

Deklaratë kandidimi për zgjedhjet e pjesshme vendore në Vlorë

Kandidoj në zgjedhjet e pjesshme vendore në Vlorë, sepse pavarësisht se janë zgjedhje për pushtetin vendor, në të vërtetë janë zgjedhje thellësisht politike.

Vlora ka nevojë për një përfaqësim të vërtetë, të ndershëm dhe të përgjegjshëm. Vlora nuk është një bashki që thjesht menaxhohet, është një qytet që duhet çliruar nga interesat e ngushta, kapja politike e ekonomike, korrupsioni dhe klientelizmi, që e ka mbajtur peng prej gati 30 vjetësh.

E majta e ka kthyer Vlorën në një pronë private, ku pushteti nuk u shërben qytetarëve, por miqve të pushtetit. Tenderat, emërimet, vendimmarrjet, gjithçka sillet rreth një qarku vicioz interesash ndërsa qytetari i zakonshëm është i pafuqishëm në shfaqjen e përditshme të arrogancës dhe abuzimit.

Nga ana tjetër, e djathta, pothuajse është zhdukur nga harta politike e qytetit. Prej vitesh, demokratët në Vlorë janë tallur e nëpërkëmbur me kandidatë të imponuar, që nuk kanë asnjë lidhje me Partinë Demokratike, me historinë e saj dhe me qytetin tonë, me të djathtën apo me parimet që përfaqësojmë.

Kandidatë që kanë qenë produkt i pazareve të lidershipit dhe enturazhit të tij, jo i vullnetit të demokratëve të vërtetë.

Unë kam qenë aktiv në politikë dhe i angazhuar në Këshillin Bashkiak, një zë i fortë dhe i pandikuar në mbrojtje të qytetarëve vlonjatë, të drejtave të tyre dhe të interesit publik edhe kur të tjerët heshtnin. Kam qenë gjithmonë në krah të njerëzve të ndershëm që duan një qytet më të mirë, më të drejtë dhe më të lirë.

Sot kandidoj sepse nuk dua ta shoh më qytetin tim pa zë dhe demokratët pa dinjitet. Kandidoj, sepse nuk dëshiroj që PD të zhbëhet nga individë groteskë!

Kandidoj, sepse në këto vite, kryesia e degës lokale të PD-së ka larguar sistematikisht njerëzit më të aftë, më të përkushtuar, më të ndershëm dhe më të lirë, për të mbajtur afër vetëm të bindurit dhe idealistët, idealizmin e të cilëve e përdor.

Kandidoj sepse nuk dua ta shoh më Vlorën peng të një partie që s’qeveris dot ndryshe veçse për klientët e saj, dhe as të një opozite që rri në radhë për emërime, jo për ideale.

Sot, Vlora ka nevojë për një alternativë të re, për një kandidaturë që nuk ndan, por bashkon.

Unë jam kandidati sot dhe nesër kryetari përbashkues, për të gjithë qytetarët e Vlorës, që për shumë kohë nuk kanë pasur zë dhe përfaqësim. Do të jem zëri i të gjithë atyre që janë lodhur nga servilizmi, nga pazaret, nga fytyrat që nuk ikin kurrë! Do të jem kandidati sot e kryetari nesër i qytetarëve, jo i pazareve.

Ndaj ftoj të gjithë qytetarët e paangazhuar, opozitarët e sinqertë, demokratët e vërtetë, dhe të majtët e zhgënjyer të më bashkohen në këtë përpjekje për ta kthyer Vlorën në një qytet që i përket qytetarëve, jo klientelës politike.

Një qytet i lirë fillon me një votë të lirë!

Gjergji Nika (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos