Zgjedhjet në Himarë, përfundon orari zyrtar i votimit

Nga A2 CNN
4 Gusht 2024, 18:57 | Politikë

Zgjedhjet në Himarë, përfundon orari zyrtar i votimit

Himara mbajti këtë të dielë zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie, të cilat ishin derivat i një procesi 1 vjeçar në gjykata dhe dyer qelie, për fituesin e 14 Majit, Fredi Beleri.

Pasi Beleri u dënua përfundimisht me 2 vite burg nga Gjykata e Apelit, KQZ shpalli vakancën për drejtuesin e qytetit bregdetar dhe Presidenca i hapi rrugën zgjedhjeve të reja me dekretimin e 4 gushtit si datë për to.

Në total 23 mijë qytetarë kishin të drejtën për të votuar për Vangjel Tavon nga PS ose Petro Gjikurinë nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” në këto zgjedhje, proces në të cilin KQZ aplikoi vetëm identifikimin elektronik të zgjedhësve.

36 qendrat e votimit për këtë bashki u hapën në orën 07:00 pa ndonjë problematikë dhe procesi i votimit ka përfunduar tashmë zyrtarisht.

Nga përllogaritjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve rezulton se deri në orën 18:00, kanë votuar 8394 zgjedhës në 36 qendrat e votimit që Himara ka. Kjo shifër përkthehet në 36.38%, shumë herë më e lartë se votuesit për të njëjtën orë në zgjedhjet e 14 Majit 2023.

Zgjedhjet në Himarë, përfundon orari zyrtar i votimit

Procesi në tërësi ishte i qetë, por hasi në disa kontestime dhe akuza nga ana e opozitës në drejtim të socialistëve në qeveri, për presion ndaj votuesve dhe kërcënime në drejtim të komisionerëve të tyre.

Kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule, denoncoi disa parregullsi, duke u ndalur në veçanti tek moslejimi i votuesve me dokumente identifikimi të skaduara për të ushtruar të drejtën e votës, por edhe transferimin e zgjedhësve në këtë bashki pas dekretit të presidentit për datën.

Dule konsideron edhe dekretin si të antikueshtetues, pasi është nxjerrë pa u shqyrtuar ankimimi i Fredi Belerit në KAS për shpalljen të pavlefshëm të mandatit të tij. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos