Ndërsa shumica e njerëzve e kanë harruar të nxehtin e kësaj vere me ardhjen e vjeshtës dhe shirave, e kundërta po ndodh me fermerët. Ata tani po ndjejnë pasojat e vërteta të nxehtit dhe thatësirës së zgjatur të verës së kaluar, shkruan A2.
Është fjala për prodhimet e tyre, të cilat këtë sezon janë më të pakta dhe natyrisht me cilësinë e dobët.
Më të goditur nga i nxehti duket se janë ata që kanë kultivuar fasulen dhe mbarështuesit e bletës. Në juglindje, fermerët e fasules përllogaritin të paktën 70 për qind më pak rendiment dhe natyrisht edhe cilësi më të dobët.
Ndërkohë, në fushën e Myzeqesë, bletërritësit e cilësojnë këtë sezon si të padëgjuar më parë. Edhe tek ata, sasia e mjaltit është e ulët dhe bletët e dëmtuara dhe shkaku kryesor është i nxehti dhe thatësira.
Një mund i shkuar dëm për fermerët dhe çmime më të larta për qytetarët, të diktuara nga kapriçot e motit që vit pas viti po bëhen më të shpeshta. (A2 Televizion)