
Të tjerë shqiptarë që kanë mbetur jashtë kufirit do të kenë mundësinë të riatdhesohen duke nisur nga e shtuna.
Kthimi në atdhe do të bëhet me shpenzimet e tyre me “Air Albania” dhe do të karantinohen në disa prej hoteleve në Durrës. Lajmin e dha ministrja e Transportit, Belinda Balluku.
“Shqetësimi juaj për procesin e riatdhesimit ka gjetur zgjidhje. Jemi angazhuar për të zgjidhur më gjerë këtë çështje sensitive, duke krijuar një mekanizëm të sigurt për riatdhesimin e studentëve dhe shtresave në nevojë. Duke filluar nga dita e shtunë, “Air Albania” do të nisë fluturimet nga disa pika të Evropës. Për të plotësuar kushtet e karantinimit kemi arritur marrëveshje me disa struktura hotelerie në Durrës, që kanë shprehur vullnet për t’u transformuar në struktura karantinimi. Transporti ajror do të kryhet nga Air Albania. E gjithë kjo paketë, ku përfshihet transporti dhe strukturat e hotelerisë do të rezervohen “online” me pagesa të arsyeshme. Për të kryer rezervimin e paketës duhet të aksesoni faqen e internetit AirAlbana.com.al dhe më pas rubrikën riatdhesimi. Klikoni në linkun e hotelit për të zgjedhur paketën që iu përshtatet dhe më pas konfirmoni formularin elektronik të kushteve të karantinimit. Ky formular do të firmoset më pas nga ju. Ju lutem, lexoni me kujdes kushtet e vendosura në formular, se nuk do të tolerohet asnjë. Pas kësaj, mund të procedoni me pagesën elektronike për 14 ditët e karantinimit. Në email do iu mbërrijë konfirmimi i rezervimit, së bashku me një kod, të cilin do ta përdorni për rezervimin e biletës, që mund ta rezervoni në Air Albania, së bashku me pagesën”, tha Balluku. (A2 Televizion)