Shuhet legjenda e futbollit, Diego Armando Maradona, në moshën 60-vjeçare.
Lajmin e kanë bërë fillimisht të ditur mediat në Argjentinë, të cilat raportojnë se Maradona ka ndërruar jetë si pasojë e një arresti kardiak në shtëpinë e tij në Tigre të Argjentinë, pak ditë pasi doli nga spitali. “El Pibe De Oro” iu nënshtrua para pak ditësh në ndërhyrje kirurgjikale në tru. Më vonë, një familjar i tij, konfirmoi për CNN lajmin e trishtë.
Maradona është konsideruar gjithmonë si një prej futbollistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, duke rivalizuar edhe me legjendën e Brazilit, Pele.
Ai ka fituar Kupën e Botës me Argjentinën në vitin 1986. I paharrueshëm mbetet goli më dorë ndaj Anglisë në çerekfinale, të cilin e quajti si “Dora e Zotit”. Në të njëjtën ndeshje shënoi edhe atë që është vlerësuar si goli i shekullit, kur e mori topin në mesin e fushës dhe dribloi të gjithë kundërshtarët e në fund e dërgoi atë në rrjetën e portës së Anglisë.
Ai ka luajtur me Boca Juniors, Barcelonën dhe Napolin, skuadër me të cilën fitoi edhe dy tituj kampionë në Itali. (A2 Televizion)