Skuadra e ëndrrave, Messi-Neymar-Mbappé, formacioni i frikshëm i PSG

Nga A2 CNN
10 Gusht 2021, 15:14 | Futboll
Skuadra e ëndrrave, Messi-Neymar-Mbappé, formacioni i frikshëm

Mund të quhet pa asnjë mëdyshje skuadra e ëndrrave. Me transferimin e Lionel Messi, Paris Saint Germain ka formuar atë që në letër ka marrë statusin e një prej ekipeve më të forta në historinë e futbollit. Reparti ofensiv është i magjishëm. Messi përkrah Neymar dhe Mbappe. Një sulm përballë të cilit çdo kundërshtar trembet ende pa nisur ndeshja. Lojtari më i mirë në histori, së bashku me dy futbollistët që pritet të dominojnë arenën ndërkombëtare në vitet në vijim.

Por, parizienët nuk kanë thjesht sulmin. Pas afrimeve të Achraf Hakimi, Sergio Ramos, Giggio Donnarumma dhe Georginio Wijnaldum ata kanë fituar me të drejtë statusin e skuadrës që duhet mundur. Formacioni titullar i parizienëve gjatë këtij sezoni gërsheton afrimet e bujshme me emra të mëdhenj që luajnë aty prej disa sezonesh.

Klubi i sheikëve ka hedhur në mënyrë të hapur kandidaturën për të fituar Champions League. Një objektiv i ëndërruar prej vitit 2011. Sikur vetëm ekipi i parë, me vlerë 660 milionë euro në merkato të mos mjaftonte, francezët kanë emra të mëdhenj edhe në stol. Nga Keylor Navas, te Kimpembe, Di Maria apo Icardi. Lojtarë që kudo do të ishin titullarë dhe së bashku kushtojnë mbi 100 milionë euro. Europa është e paralajmëruar, Paris Saint Germain-i i frikshëm është gati për ta pushtuar. (A2 Televizion)

https://www.instagram.com/p/CSZSX90rqoQ/?utm_source=ig_web_copy_link

A2 CNN Livestream

Latest Videos