
Vala e protestave kundër racizmit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka nxitur një ndërgjegjësim që i kalon kufijtë e këtij vendi. Në Francë janë zhvilluar manifestime të dhunshme në disa qytete. Pjesëmarrësit u përleshën me forcat e rendit në Paris dhe Nantë teksa kërkonin drejtësi për një person me ngjyrë të vrarë nga policia gjatë një operacioni në 2016.
Për protestuesit rasti i 24-vjeçarit Adama Traore është i njëjtë me atë të George Floyd në Amerikë. “Ata po na privojnë ne nga shprehja e lirive tona. Po na vrasin, lëndojnë, sulmojnë dhe fyejnë. Në një moment ne duhet të ngrihemi. Kjo ka vazhduar për shumë gjatë dhe George Floyd ishte vetëm maja e ajsbergut”, thotë një protestuese.
Demonstratat u zhvilluan me organizime në rrjetet sociale nga grupimet e lëvizjes “Black Lives Matter”. Por policia e arsyetoi ndërhyrjen me dhunë dhe gaz lotsjellës duke thënë se organizime të tilla nuk lejohen pasi rrezikojnë shëndetin e qytetarëve për shkak të koronavirusit.
Vrasja e Floyd ka shkaktuar zemërime, protesta edhe në shtete të tjera si Holanda, Kenia, Argjentinë e të tjerë.
Në Lindjen e Mesme, ato sollën një shembull mjaft pozitiv. Si asnjëherë më parë, palestinezët dhe izraelitët manifestuan për një kauzë të njëjtë, por në dy lokacione të ndryshme. Dhjetëra palestinezë u mblodhën në Betlehem për të protestuar kundër racizmit ndaj personave me ngjyrë në SHBA dhe agresionit të forcave izraelite.
Ndërsa në Tel Aviv rreth 300 persona u grumbulluan pranë një zyre të ambasadës amerikane për të kërkuar drejtësi për George Floyd. (A2 Televizion)