
Amerikanët e sfiduan masën e ndalim qarkullimi, duke mbushur rrugët e qyteteve kryesore rreth vendit për të 8-tën ditë radhazi, pasvdekjes së afro-amerikanit George Floid në duart e policisë.
Dhjetëra mijëra vete ju bashkuan manifestimeve, të cilat ndryshe nga ditët paraardhëse mbetën kryesisht paqësore.
Një prej protestave më të mëdha, ku morën pjesë edhe të afërmit e Floid, u mbajt në vendlindjen e tij, Hjuston.
Në Uashington, policia përdori sërish gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës gjatë natës. 1600 ushtarë u dislokuan në baza të ndryshme rreth kryeqytetit ndërsa helikopterë fluturuan mbi protestuesit që marshonin drejt shtëpisë së bardhë.
Qarkullimi u bllokua në distriktin e Manhatanit në Nju Jork, ndërsa demonstruesit shpërfillën shtetrrethimin e vendosur pas përleshjeve e plaçkitjeve të një natë më herët. Video të shpërndara në rrjet treguan turmën teksa rrethonte një furgon policie.
Protesta të mëdha u mbajtën edhe në Los Angeles, Filadelfia, Atlanta dhe Siatëll. Në Mineapolis, qyteti ku vdiq Floid, situtata është përgjithësisht e qetë.
Presidenti amerikan, i vënë në qendër të kritikave pasi largoi me gaz lotsjellës manifestuesit paqësor, për të pozuar me bibël në dorë jashtë një kishe historike në Uashington, mbrojti vendimin e tij në Twitter. “E keni kuptuar gabim. Nëse protestuesit ishin kaq paqësor, pse i vunë zjarrin kishës një natë më herët. Njerëzve u pëlqeu veprimi im”, deklaroi presidenti.
Por arqipeshkvi i Uashingtonit kritikoi kreun e Shtëpisë së Bardhë, i cili sipas tij kishte përdorur kishën për qëllimet e veta. Ndërkohë, kandidati demokrat për presidencën, Joe Biden, sulmoi rivalin se po shfrytëzonte krizën për të kënaqur mbështetësit e tij. (A2 Televizion)