
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe paraqitur kërkesë për dërgimin në gjyq të dy dosjeve të bujshme të trafikimit të lëndëve narkotike.
SPAK ka përfunduar hetimet për Gentian Malindin, të akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Trafikimit të narkotikëve”, në kuadër të “Grupit të strukturuar kriminal”, si krijues, organizator dhe drejtues, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe dy personave të tjerë të përfshirë në këtë dosje, Altin Myslihakën dhe Adrian Begën.
Të pandehurit janë bashkautorë në trafikimin e një sasie lënde narkotike të llojit kokainë, të sekuestruar në 4 (katër) kontejnerë, të cilët vinin nga Ekuadori në drejtim të Shqipërisë, duke kaluar tranzit në portin e Pireut, Greqi, ngjarje e ndodhur në muajt gusht – shtator 2019.
Hetimet e këtij janë zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet greke të drejtësisë, duke organizuar edhe dorëzimin e kontrolluar të lëndës narkotike.
Hetimet kanë përfunduar edhe për Fisnik Sadikun (Smaili), i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Prodhimi dhe fabrikimi i lëndëve narkotike dhe psikotrope”, në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal’’, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Nga hetimi i kësaj çështjeje ka rezultuar se me datë 18.10.2018, në fshatin Brenogë, Has, është sekuestruar sasia e lëndës narkotike prej 182.5 kg, të llojit heroinë, një laborator që shërbente për prodhimin e lëndës narkotike, ndërsa në Prishtinë, me datë 02.12.2018, është sekuestruar sasia e lëndës narkotike të trafikuar, prej 113.5 kg e llojit heroinë, thotë SPAK.
Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se i pandehuri Fisnik Sadiku (Smaili) ka qenë i pjesëtar i grupit kriminal, ku për këtë fakt penal janë dërguar më parë në gjykim për të njëjtat akuza bashkëpandehurit, Admir Hoxha, Hekuran Hoxha, Xhevit Shuti, Flamur Çelaj, Vehbi Berushi, shtetasi turk Iskender Sale dhe shtetasi kosovar Xhemal Shala. (A2 Televizion)