
Zvicra ka siguruar një fitore 3-1 përballë një Hungarie zhgënjyese, e cila vinte në Europianin 2024 si fituese e grupit të saj gjatë kualifikueseve për fazën finale.
Para 41676 shikuesve, me Xherdan Shaqirin në stol dhe Granti Xhakën kapiten, helvetët ja dolën të triumfojnë dhe të ndjekin hap pas hapi Gjermaninë, e cila “shkatërroi” mbrëmjen e djeshme Skocinë në ndeshjen që çeli kompeticionin.
Zvicra kaloi në avantazh në minutën e ’12, pasi Aebischer dhuroi një asist për suprizën e formacionit, Duah, i cili u zhyt në mënyrë të sigurt në portë.
Kjo ishte vetëm ndeshja e dytë me kombëtaren për sulmuesin e Ludogorets, Kwadwo Duah, i cili shlyen besimin e trajnerit Murat Yakin.
Pas golit të tij zviceranët ishin jashtëzakonisht superiorë dhe thelluan epërsinë në të ’44, pas një gabimi trashanik nga mbrojtja e Hungarisë.
Freuler morri topin dhe ia kaloi Aebischer. Goditja e mesfushorit të Bolonjës shkoi mrekullisht në rrjet.
Hungaria shkurtoi diferencën në të ‘66-të minutë duke dhënë shpresa për “ringjallje”, pas golit të Vargës. Në minutat e mbetura ndeshja ishte thuajse e barabartë, por Zvicra thelloi epërsinë në minutën e 3 të shtesës me Breel Embolo.
Ajo çka ra në sy në stadiumin e Këlnit ishte adhurimi i tifozëve për Granit Xhakën, të cilit i kënduan nga fillimi deri në fund të ndeshjes, duke treguar se ylli i Leverkusenit është motori dhe shpirti i kësaj kombëtareje. (A2 Televizion)