4 gola dhe spektakël, Tirana dhe Elbasani ndajnë pikët

Nga Dea Kozma
21 Shtator 2026, 12:47 | Futboll

Katër gola, spektakël dhe një pikë për secilën skuadër. Tirana dhe Elbasani barazuan 2-2 në “Selman Stërmasi”, në një sfidë që dhuroi emocione deri në fund.

Elbasani e nisi më mirë dhe kaloi në avantazh në minutën e 23-të, kur topi i devijuar nga Ndong përfundoi në portën e Tiranës. Bardheblutë reaguan shpejt dhe vetëm shtatë minuta më vonë Redon Xhixha riktheu baraspeshën me një goditje me kokë.

Por, verdheblutë nuk u tërhoqën. Në minutën e 37-të, Mazari kaloi sërish Elbasanin në epërsi, duke mbyllur pjesën e parë në avantazhin 2-1, shkruan A2.

Në fraksionin e dytë, Tirana u shfaq më kërkuese dhe në minutën e 54-t Xhixha shënoi sërish, duke kompletuar dopietën. Në vazhdim pati raste nga të dyja skuadrat, ndërsa Tirana iu afrua golit të fitores, por Xhixha u ndal nga shtylla.

Në fund, Tirana merr një pikë dhe shkon në kuotën e 5 pikëve, ndërsa Elbasani arrin në 6 pikë pas pesë javësh kampionat.

Egnatia rikthehet te fitorja në Superiore, duke mposhtur 2-1 Partizanin në “Arena Egnatia”. Kampionët e nisën më mirë dhe e shpërblyen dominimin, kur Loukili realizoi me një goditje nga distanca. Rrogozhinasit vazhduan të kontrollojnë lojën dhe pas pushimit gjetën golin e dytë. Albanese realizoi gjithashtu nga distanca, duke i dhënë Egnatias një avantazh të dyfishtë.

Partizani reagoi menjëherë dhe vetëm dy minuta më vonë Bruno Murataj shkurtoi diferencën në 2-1. Të kuqtë kërkuan barazimin deri në fund, por Egnatia rezistoi. Në shtesë, vendasit shënuan edhe një herë , por goli u anulua për pozicion jashtë loje.

Kështu, Egnatia merr tre pikë të rëndësishme pas humbjes me Elbasanin dhe ngjitet në vendin e dytë me 12 pikë. Për Partizanin, kjo është humbja e dytë radhazi dhe të kuqtë mbeten me 4 pikë në vendin e shtatë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos