Ishte në listën e Silvinjos, mbrojtësi i Benfikës braktis Shqipërinë për Zvicrën

Nga A2 CNN
1 Shtator 2025, 16:52 | Futboll

Ishte në listën e Silvinjos, mbrojtësi i Benfikës braktis

Do të ketë ndryshime në listën e Kombëtares së Shqipërisë para ndeshjeve të shtatorit me Gjibraltarin dhe Letoninë. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se mbrojtësi i Benfikës, Adrian Bajrami nuk do të jetë pjesë e Kombëtares.

Ajo çka tërheq vëmendjen është fakti se Bajrami ka vendosur të largohet përfundimisht nga Shqipëria për të luajtur me kombëtaren e Zvicrës.

Pasi është vënë në dijeni për këtë vendim të lojtarit, trajneri Silvinjo ka vendosur të ftojë mbrojtësin Maldini Kacurri, i cili është pjesë e akademisë së Arsenalit dhe sezonin e kaluar luajti i huazuar tek Bromley.

19-vjeçari do të bashkohet me skuadrën në kampin stërvitor të kuqezinjve në Malaga gjatë të hënës dhe do të vihet në dispozicion për këto dy ndeshje. Kacurri, i cili ka qenë më parë pjesë e ekipeve kombëtare të moshave U-17, U-19 dhe U-21 të Shqipërisë, ftohet për herë të parë në Kombëtaren A.

Sakaq, në vend të Ylber Ramadanit, i cili nuk do të jetë pjesë e Kombëtares për shkak dëmtimi, është thirrur Enis Çokaj. Mesfushori aktivizohet me Levadiakosin në kampionatin grek dhe ka qenë edhe më parë pjesë e Kombëtares A, ku numëron 5 ndeshje.

Pjesë e Kombëtares për dy ndeshjet e shtatorit nuk do të jetë as Ernest Muçi, i cili ka vuajtur nga dhimbje të mesit me shenja të inflamacionit të diskut. Pas konsultimit me stafin mjekësor të klubit dhe doktorin e Kombëtares, është vendosur që ai të mos thirret për këto ndeshje.

Trajneri Silvinjo ka vendosur të thërrasë sulmuesin e Cesena-s, Cristian Shpendi, i cili grumbullohet për herë të parë me Kombëtaren A, pas aktivizimeve me ekipet kombëtare të moshave U-19 dhe U-21. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos