Kuqezinjtë në Ligën e Kombeve, Ysni Ismajli gati t’i bashkohet kombëtares, Balliu në dyshim

Nga Dea Kozma
23 Shtator 2026, 11:58 | Futboll

Një tjetër emër nga kampionati shqiptar në listën e Kombëtares shqiptare, me Ysni Ismajlin që pritet t’i bashkohet kuqezinjve për katër ndeshjet e radhës të Ligës së Kombeve. Mbrojtësi i djathtë i Dinamos është njoftuar për grumbullimin dhe pritet të mbërrijë në Tiranë për t’u vënë nën urdhrat e trajnerit Rolando Maran.Ftesa vjen pas situatës së krijuar me Ivan Balliun.

Mbrojtësi i Rayo Vallecanos ka pësuar një dëmtim në kyçin e këmbës në ndeshjen ndaj Osasunës. Rezonanca magnetike ka evidentuar dëmtimin, ndërsa Balliu ka nisur programin e rehabilitimit me klubin e tij. Gjendja e tij po ndiqet nga afër edhe nga stafi mjekësor i Kombëtares dhe mbetet për t’u parë nëse do të jetë në dispozicion të Maranit.

Në këtë situatë, tekniku italian ka zgjedhur 24-vjeçarin e Dinamos, i cili po kalon një moment të mirë në Superiore. Ismajli ka spikatur me paraqitjet e tij këtë sezon, si në kampionat, ashtu edhe në ndeshjet europiane, duke fituar tashmë edhe vëmendjen e stafit të Kombëtares.

Madje, në formacionin më të mirë të javës së pestë të Superiores, të përzgjedhur nga FSHF, Ismajli ishte një nga dy mbrojtësit e Dinamos, së bashku me Bruno Ditën.

Një tjetër emër nga kampionati shqiptar që merr kështu një mundësi për të treguar veten në nivelet më të larta. Pas Dajsinanit, Alijit dhe Qefalisë, Ismajli bëhet një tjetër futbollist i Superiores që i bashkohet grupit të Maranit, në një Kombëtare që po plotëson radhët për sfidat e Ligës së Kombeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos