Maran në krye të kuqezinjve, Shakohoxha: Të huajt dështuan, duhej një trajner shqiptar

Nga Dea Kozma
22 Maj 2026, 12:25 | Futboll

Zgjedhja e trajnerit Rolando Maran në krye të kombëtares shqiptare ishte një surprizë për këdo.

Një trajner me një karrierë modeste që për herë të parë do të drejtojë një kombëtare pas eksperiencës së tij  në klube.

Sipas Dritan Shakohoxhës, kjo zgjedhje është një sfidë dhe për vetë Federatën, ndërsa bëri një përmbledhje dhe për gjithë trajnerët e huaj që kanë drejtuar Shqipërinë: “Po t’i shikosh trajnerët që kanë drejtuar Shqipërinë, pjesa më e madhe e tyre ka qenë histori dështimi. Arie Haan, Otto Bariç, Kuzhe, Dossena… I morëm nga anonimati dhe pasi ikën nga Shqipëria, nuk kanë punuar në ndonjë vend tjetër”.

Pas tre vitesh e gjysmë, Sylvinho u largua nga përfaqësuesja shqiptare.

“Sylvinho nuk kishte kontratë. FSHF nuk e parashikonte që ai të shkonte në playoff. Kontrata i mbaroi vitin e kaluar”, tha Shakohoxha.

Sipas tij, në kampin kuqezi kishte ardhur koha për t’u vendosur një trajner shqiptar.

Trajneri Rolando Maran do të debutojë me kuqezinjtë në dy ndeshjet miqësore të muajit qershor, përballë Izrealit në 3 qershor dhe tre ditë më vonë ndaj Luksemburgut.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos