Largimi i Bajramit, Rudi Vata: Tradhtar është ai që vjedh kombin e vet!

Nga A2 CNN
4 Shtator 2025, 13:03 | Futboll

Ish-kapiteni i Kombëtares, Rudi Vata, tha se etiketimi “tradhtar” për mbrojtësin Adrian Bajrami, i cili vendosi të largohet për të luajtur me Zvicrën, është i padrejtë.

“Për mendimin tim, ka bërë zgjedhje të lirë, ka zgjedhur atë që ka menduar që është më e mirë për karrierën e tij. Ai që e quan tradhtar ose të pabesë, mendoj që tradhtinë e ka vetë, pabesinë e ka vetë, sepse Bajrami nuk i ka vjedhur asgjë Shqipërisë. Tradhtar janë ata që vjedhin kombin e tyre”, tha Vata në një bisedë me gazetaren Bruna Çifligu në Ditarin e mesditës në A2 CNN.

Vata shtoi se, për momentin, largimi i tij nuk i prish punë skuadrës kombëtare. “Sepse nuk ishte titullar i padiskutueshëm në ekipin kombëtar. Sigurisht që Bajrami menaxhohet nga një kompani që ka të drejtë ta këshillojë. Brenda 6-7 muajve bëhet 24 vjeç dhe duhet të ndihet lojtar i rëndësishëm. Ndoshta ka kuptuar që nuk ndihet kaq i rëndësishëm në Kombëtare. Ka bërë llogaritë e tij. Ka zgjedh Zvicrën, sepse ka lindur atje, ka marrë frymën e parë në Zvicër. Mund të menaxhohej më mirë situata e tij”, u shpreh ai.

Sa i përket formës së kuqezinjve, Vata mendon që shqetësimi më i madh për trajneri Sylvinho është sulmi. “Që me largimin e Cikalleshit, nuk kemi gjetur dot një zëvendësues. Broja nuk ka gjetur ende formën e tij më të mirë. Manaj gjithashtu ka ndryshuar ekip dhe duhet parë. Daku është në formën e tij maksimale dhe shënon gola”, tha Vata. “Por të gjithë skuadrën nuk e shoh në formën më të mirë. Lojtarët kryesorë si Broja, Bajrami, Kumbulla, nuk janë në formën më të mirë”, përfundoi ai. 

Shqipëria luan sot pasdite, në orën 18:00, kundër Gjibraltarit, ndërsa të martën, në 20:45, luan kundër Lituanisë në “Arenën Kombëtare”, një ndeshje vendimtare për fatet e kualifikimit për në Kupën e Botës së vitit të ardhshëm. Momentalisht skuadra renditet në vendin e dytë në grupin K, me 5 pikë në 4 ndeshje të zhvilluara. Vendin e parë e mban Anglia me 9 pikë nga 3 ndeshje të luajtura deri tani. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos